Dëmtimi i Vilës bën Bushatin me dhimbje koke
Askujt nuk ia kishte marrë mendja se problemet do të ndodhnin në fund të përgatitjeve për ndeshjen e sotme kundër Skocisë. Dje në mbrëmje, një nga sulmuesit kryesorë të ekipit, Emiljano Vila, ka qenë me temperaturë, çka ka bërë që rreth aktivizimit të tij të ngrihen shumë pikëpyetje. Nëse Vila nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Bushati, atëherë do të shkojë në dy numri i lojtarëve sulmues që do të mungojnë për Shpresën tonë, ditën e sotme kundër Skocisë. Dy ditë më parë, një tjetër lojtar i grumbulluar për këtë sfidë, e që konsiderohet edhe si një nga më të talentuarit e kombëtares së 21-vjeçarëve, Vilfor Hysa, mbeti i dëmtuar gjatë stërvitjes. Me pak fjalë sulmi i ekipit tonë Shpresa është në dyshim, në mos kaq, ky repart do të ketë probleme të mëdha funksionimi në këtë sfidë. Frika është se mos ky repart nuk arrin të jetë në lartësinë e duhur. Ndërkohë, sa i përket pjesës tjetër të përfaqësueses Shpresa, gjithçka duket së shkon për bukuri, sepse lojtarët mbrëmjen e fundit para takimit janë shprehur optimistë. Nga ana tjetër, sa i takon portës, pritet që sot të aktivizohet nga minuta e parë portieri i Flamurtarit, Shpëtim Moçka.