Stark: Do jetë sfidë e vështirë, dua 3 pikët
Skocia U-21, jashtë çdo normaliteti, apo asaj që parashikon rregullorja e FIFA-s dhe UEFA-s në të tilla raste, stërvitjen e fundit nuk e ka zhvilluar në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta”. Gjithçka në “Selman Stërmasi”, dhe për Bill Stark, trajnerin e përfaqësuese U-21 të Skocisë, kjo gjë ka qenë e mjaftueshme, sepse ishte e stërmundimshme për skuadrën e tij që të udhëtonte për tri orë një ditë përpara ndeshjes. Me tepër diplomaci Stark shpjegon për “Panorama” se është ndeshje e vështirë dhe si Shqipëria, ashtu edhe Skocia duan maksimalen nga kjo ndeshje. Nga edicioni i kaluar i kanë mbetur vetëm katër lojtarë, pjesën tjetër të skuadrës e ka me futbollistë të rinj. Por Stark nuk shqetësohet dhe duke i vlerësuar të gjithë kundërshtarët e grupit të fortë, ndërsa ekipin e tij në nivel mesatar, kërkon t’i marrë gjërat me radhë. “Jemi në të njëjtën situatë si çdo kundërshtar tjetër, përpara fillimit të një edicioni të rëndësishëm, siç është Evropiani U-21. Jemi përgatitur, ashtu siç mundet të ketë bërë dhe kundërshtari ynë, i cili na pret në shtëpinë e tij. Por duke qenë se nuk kemi luajtur asnjë ndeshje dhe ky është takimi i parë kualifikues për Euro 2011, është një situatë disi e turbullt, sepse nuk e dimë se si mund të na ecë ky edicion. E keqja është se nuk e njohim fare kundërshtarin, me përjashtim të ndonjë informacioni marrë andej-këndej për kuqezinjtë”, tha Stark.