E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka reforma të mirëfillta

sh-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Adnan Merovci, e ka vlerësuar jo të mirëfilltë reformën kushtetuese dhe zgjedhore.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ai ka thënë se ndryshimet zgjedhore aktuale janë kryekëput rezultat i rrethanave politike dhe aktorëve të tyre. “Këto nuk janë reforma të mirëfillta. Me e drejtë është të quhen ndryshime të vogla sesa reforma zgjedhore”, është shprehur ai. Në këtë kontekst, Merovci e ka quajtur diskriminues paralajmërimin e liderëve të partive politike për caktimin e pragut zgjedhor prej 5-përqindësh.

“Pragu i paralajmëruar, për mendimin tim, nuk siguron një gjithëpërfshirje politike. Madje i dëmton më shumë shqiptarët sesa pakicat me vende të rezervuara. Mendoj se pragu që do të prodhonte një gjithëpërfshirje solide do të duhej të ishte selektiv: 3 për qind për koalicione, 2 për qind për subjekte politike dhe 1 për qind për kandidatë të pavarur. Me këtë shkallë të pragut do të inkurajoheshin dhe afirmoheshin edhe vlerat individuale që nuk mungojnë dhe që i duhen shumë Kosovës”, ka deklaruar Merovci.

Merovci ka folur edhe rreth mundësisë së koalicioneve në mes të partive politike. Ai ka thënë se koalicionet në mes të partive politike nuk duhet të shihen të pamundura dhe befasuese. Ai ka vlerësuar se koalicioni AAK-LDD është vetëm fillimi i bashkëpunimeve në mes të partive politike. “Përfundimisht duhet të lirohemi nga disa paragjykime, sepse në politikë nuk ka parime të paprekshme, ato adaptohen konform situatave dhe interesave të ndryshme. Me këtë nuk them se preferoj çdo lloj koalicioni, por nuk duhet parë si të pamundur dhe befasues. Koalicioni AAK-LDD është vetëm fillimi i koalicioneve edhe më të larmishme dhe më ‘kontroverse’ që mund të ndodhin si para ashtu edhe pas zgjedhjeve”, është shprehur Merovci. Në këtë kontekst, Merovci ka thënë se koha do të tregojë nëse arritja e koalicionit AAK-LDD ka qenë parimor.

Merovci në këtë intervistë ka folur edhe për vazhdimin e angazhimit të tij në politikë. Ai ka bërë me dije se është në konsultime me disa parti politike për angazhim e tij në politikë. “AAK-ja është më e interesuara. Por, subjekti politik që më ofron terren profesional më të volitshëm aty mund të kyçem. Pra, nuk kam preferenca as përjashtime për arsye se pothuajse të gjitha subjektet politike janë të njëjta dhe unë nuk kam ndonjë ‘fanatizëm’ për ndonjë subjekt politik”, është shprehur Merovci./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›