E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmtohen objektet e shekullit I-II para Krishtit

11/08/2010 Papërgjegjshmëria fatale e ndërtuesve shkatërron vlera të papërsëritshme të antikitetit

TEPELENË - Papërgjegjshmëria dhe pakujdesia ka shkatërruar në mënyrë të pariparueshme vlera të papërsëritshme të antikitetit në afërsi të fshatit Toç të rrethit të Tepelenës. Të premten e javës së kaluar një ekskavator i drejtuar nga një 20-vjeçar i ka ngulur thikat e hekurta të gërmimit mbi gurët e një tempulli të lashtë, që sipas ekspertëve të arkeologjisë datojnë të shekujve III-II p.e.s, deri në periudhën romake të shek. I-II para Krishtit. Nga një varr monumental i zbukuruar me kolona dorike dhe një figurine interesante të gdhendura në gur kanë mbetur vetëm dy stela guri, ndërsa nga një altar apo tempull kanë mbetur dy gurë të kornizës së tij dhe tri blloqe gurësh. Vendi ku janë zbuluar gurët e varrit dhe tempullit të lashtë ndodhet në afërsi të fshatit Toç i Ri, rreth 50-60 metra përballë restorantit “Oda e Hasan Beut”, rreth 3 km në jug të qendrës së komunës Krahas të Tepelenës. Sipas banorëve të fshatit Toç i Ri, pronarëve dhe punonjësve të restorantit “Oda e Hasan Beut”, që e kanë ndjekur nga afër këtë masakër të gjurmëve të historisë antike, shkatërrimi ka ndodhur ditën e premte të javës së kaluar, në datën 6 gusht 2010. “Për shkak të kuotave të terrenit në këtë vend dheun e gërmuar nga traseja e rrugës ekskavatori e ngarkonte në kamion dhe ky dhé transportohet e përdoret për të mbushur trasenë rreth 100 metra më tutje”, - shprehet një banor. Megjithëse dheu aty ishte i butë, thikat e kovës së ekskavatorit hasën në disa gurë të mëdhenj, të cilët u ngarkuan në kamionë dhe u shkarkuan për mbushje.

Disa banorë të fshatit, që ndodheshin aty pranë, panë se gurët e dalë në sipërfaqe ishin të punuar dhe të skalitur dhe i bënë thirrje ekskavatoristit që të ndërpriste punën”, - tregon Orgen Hasanbegaj.

Kësisoj, objekte të çmuara të lashtësisë janë zbuluar dhe shkatërruar brenda pak orëve nga punimet për realizimin e projektit infrastrukturor të rehabilitimit dhe ndërtimit të aksit rrugor jugor Levan–Tepelenë, pjesë e rëndësishme e korridorit rrugor të Jugut

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›