Banorët e Dukatit, protesta për pronat
Kërkesat për njohjen e pronave kanë nxjerrë në protestë qindra banorë të fshatit Dukat të Rrethit të Vlorës. Dje në mëngjes, ata kanë bllokuar rrugën nacionale që lidh Vlorën me Sarandën, duke penguar qarkullimin. Banorët kanë kërkuar mes të tjerash hapjen e derës hyrëse për gadishullin e Karaburunit, si dhe certifikimin e pronave të tyre. Si pasojë e bllokimit të rrugës për rreth një orë, janë krijuar radhë të gjata në të dyja anët e aksit rrugor nacional Vlorë-Sarandë. “Kemi vajtur në të gjitha institucionet dhe askush nuk ka reaguar. Protestat do të vazhdojnë, ne këto toka do t’i mbrojmë me gjak”, janë shprehur banorët, të cilët janë shpërndarë pas ndërhyrjes së policisë. Dy prej tyre janë shoqëruar për në komisarit, çka është bërë shkak që banorët e Dukatit të dalin sërish në protestë në orët e pasdites. Rreth orës 17:30, ata kanë bllokuar sërish qarkullimin, duke kërkuar lirimin e bashkëfshatarëve dhe zgjidhje të kërkesave të tyre për pronësinë.
#