Shtohet numri i furrave që rrisin çmimin e bukës
Vijon rritja e çmimit të bukës, duke shtuar numrin e furrave që marrin vendimin për shtrenjtimin e artikullit më të përdorur në vend. Rritja nisi tri ditë më parë, në disa furra të kryeqytetit dhe u përhap me shpejtësi edhe në qytetet e tjera. çmimi i bukës po kushton këto ditë 10 lekë më shtrenjtë dhe parashikohet të rritet edhe më shumë, në rast se bursat vijojnë me shtrëngimin e grurit. Sakaq, autoritetet vlerësojnë se rritja e çmimit konsiderohet abuzive, si për miellin, ashtu dhe për bukën.
Sipas komisionerit të Autoritetit të Konkurrencës, që nga janari deri në qershor, në vendet nga ku importohet gruri, ka pasur luhatje të vogla të çmimit dhe kjo është shfrytëzuar në mënyrë abuzive nga importuesit e grurit në Shqipëri, duke e rritur çmimin për prodhuesit e bukës në mënyrë artificiale. Nga monitorimet e këtij autoriteti, ndonëse ka pasur një rritje të vogël të çmimit të grurit, ajo është reflektuar në një masë më të madhe në Shqipëri dhe nga ana tjetër, ka pasur dhe një rënie të vlerës së dollarit. Për më tepër, një ditë më parë, është shënuar rënie e çmimit të grurit në bursë, gjë e cila nuk është reflektuar nga operatorët tanë, duke vazhduar me rritjen e çmimit për një kuintal miell. “Nga konstatimet tona mund të them se dje dhe sot ka një rritje abuzive të çmimit të miellit dhe kjo përbën problem si për konsumatorët, por edhe tregtarët. Ka një situatë kur operatorët kanë filluar të keqpërdorin rritjen e çmimit në bursat ndërkombëtare në muajin korrik”, është shprehur Koço Broka, komisioner i Autoritetit të Konkurrencës.
Sipas Brokës, kërkohet angazhimi i të gjitha strukturave si drejtoria e doganave, ajo e tatimeve, inspektoratet e ndryshme shtetërore për t’i thënë stop abuzimit të fabrikave të miellit.
Ky autoritet, i cili mbron konkurrencën e lirë, do të hetojë të gjitha subjektet, faturat që realisht nuk dëshmojnë atë çmim me të cilin ata deklarojnë se kanë blerë miellin nga importuesi.
“Monitorimi i faturave të miellit është një ndër objektivat tanë kryesorë. Po vihen re shenja të dukshme të abuzimit të çmimit nga operatorët. Në të tilla raste abuzimi, gjoba shkon nga 2-10 për qind të xhiros totale dhe në varësi të dëmit të shkaktuar për bizneset e tjera dhe konsumatorit”, deklaroi Broka.
çmimi i bukës në Tiranë u rrit me 10 lekë në të gjitha furrat e bukës menjëherë sapo u paralajmërua nga disa prodhues buke.
#