E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjedisi: Ndjekje penale në rast të rishkarkimit të ujërave të zeza në det

11/08/2010 Deshati flet për masat e marra dhe rastet e pallateve shumëkatëshe

Ministria e Mjedisit ka bërë të ditur se ndërprerja e tubacioneve të shkarkimit të ujërave të zeza në det nuk do të përfundojë vetëm me këtë aksion. Në një deklaratë për mediet Alfrd Deshati ka bërë të ditur se po verifikohet nëse subjektet që u është ndërprerë tubacioni kanë marrë masa për përpunimin në gropa septike dhe largimin e mbetjeve me pajisje teknologjike apo jo. Deshati thekson se në rast të mosmarrjes së masave do të bëhet bllokimi përfundimtar u aktivitetit. “Është realizuar prishja e instalimeve dhe tubacioneve të kundërligjshme, si dhe detyrimi i subjekteve përgjegjës për marrjen e masave urgjente për pastrimin nga firma të licencuara që largojnë me pajisje teknologjike këto ujëra, kryejnë dezinfektimin e gropave septike dhe i dërgojnë ato në impiantet përkatëse te trajtimit”, - tha Deshati. Ai shtoi se në bashkëpunim me pushtetin vendor verifikohet nëse këto kategori objektesh i kanë funksionale gropat septike dhe në parametra të lejuar, apo i shkarkojnë ujërat e zeza direkt në det. Për sa u përket pallateve shumëkatëshe në pronësi të shtetasve të ndryshëm, të cilat aktualisht janë me gropa septike, Deshati thekson se përgjegjësia e pastrimit është e administratorit të godinës në kuptim të ligjit. “Në rast konstatimi të shkarkimit të paligjshëm në det të ujërave të zeza do të bëhet prishja e kanalizimeve që shkarkojnë në det, do të merren masa administrative me gjobë dhe në rastet që do konstatohet se kjo shkelje është e përsëritur, do të bëhet kallëzim penal pranë prokurorisë”, - nënvizoi Deshati. Ndërsa për objektet tregtare që do të vazhdojnë shkarkimin e ujërave të zeza në det, organi shtetëror kompetent do të bëjë bllokimin e veprimtarisë, si dhe do të dërgojë propozimin për heqje të licencës për ushtrimin e veprimtarisë përkatëse në institucionin shtetëror kompetent. Në rastet që do konstatohet që drejtuesit e pushtetit vendor me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë lejuar ndërtimin dhe kolaudimin e objekteve që kryejnë shkarkime të ujërave të zeza në mjedisin detar, do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për marrjen e masave përkatëse ndaj tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›