E Diel, 1 Nëntor 2026

“Duhet të blejmë vetë shiringat, mungon ambulanca për zonat e thella”

Shkodër, të sëmurët që trajtohen me dializë, apelojnë për ndihmë

Të sëmurët me veshka, që trajtohen me dializë në spitalin e Shkodrës, kanë reaguar ashpër për indiferencën që sipas tyre po tregon Ministria e Shëndetësisë. Ata ankohen se janë të detyruar të blejnë vetë deri dhe shiringat, ndërkohë që sipas tyre përdoren dy-tre herë të njëjtat doreza steriliteti. Ditët e fundit, atyre u është hequr dhe shërbimi i ambulancës, ku të sëmurë nga zonat e thella të Veriut janë të detyruar ta kryejnë vetë transportin për në spitalin rajonal të Shkodrës. Kështu me 16 mijë lekët që marrin nga trajtimi me KEMP, këta të sëmurë u duhet të blejnë ilaçe, të sigurojnë transportin për në spital dhe të mbajnë familjet e tyre. Në repartin e dializës në spitalin rajonal të Shkodrës mjekohen 40 të sëmurë nga Veriu i Shqipërisë. Reparti i dializës ka rreth pesë vite që është hapur, por të sëmurët ankohen për mungesë të shërbimit të ambulancës deri të shiringave dhe ushqimit. Përfaqësuesi i të sëmurëve që trajtohen me dializë, Nikolin Cuni, shprehet se atij i është dashur të shesë shtëpinë për të siguruar ilaçet. “Të sëmurët me dializë janë të harruar nga shteti. Nuk kemi asnjë motiv politik, por kërkojmë vetëm që kushdo qoftë në pushtet të kujdeset për ne. Personalisht, më është dashur të shesë shtëpinë dhe të jetoj në banesë me qira, për të blerë ilaçe. Në spitalin e Shkodër ne blejmë deri dhe shiringat, nuk marrim as ushqimin që si rregull duhet të marrin të sëmurët. Jeta e të sëmurëve po bëhet e padurueshme nga neglizhenca dhe indiferenca e Ministrisë së Shëndetësisë, ku për një ilaç si ‘RECOMON’ të sëmurët duhet të udhëtojnë drejt spitalit të Tiranës për ta marrë. Në një kohë që ky ilaç shumë mirë duhet të sillet nga Ministria e Shëndetësisë në spitalin e Shkodrës”, ka thënë Cuni për gazetën “Shqip”. Më tej ai ka shtuar se heqja e shërbimit të ambulancës për të sëmurët e zonave të thella si Vermoshi, fshatrat e Pukës etj., është një tjetër padrejtësi që po u bëhet kësaj kategorie të sëmurësh. Ndërkaq sipas mjekëve të spitalit rajonal të Shkodrës, çdo mjekim apo shërbim për këta të sëmurë varet direkt nga Ministria e Shëndetësisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›