Sukaj shënon, Orduspor kalon turin
Xhevair Sukaj vazhdon paraqitjet e mira në Turqi. Pas golit të fundjavës në Ligën 1 të këtij vendi, sulmuesi shkodran ka realizuar një tjetër rrjetë, këtë radhë në Kupë. Ai hapi serinë e golave në takimin që Orduspor fitoi 2:1 në shtëpi përballë Pursaklarspor AS Ankara, i vlefshëm për turin e dytë të Kupës së Turqisë (Türkiye Kupasi). Sukaj zhbllokoi rezultatin në të 43-ën, duke i hapur rrugën triumfit të skuadrës së tij. Në të 62-ën Kurt dyfishoi, ndërsa goli i Faruk (në minutën e 66-të), ishte i pamjaftueshëm për miqtë. Të dielën e kaluar, 22-vjeçari shënoi në sfidën ku Orduspor barazoi me rezultatin 1:1 përballë Koniasporit, që pas gjashtë javëve kryeson kampionatin. Ky ishte goli i dytë sezonal për ish-lojtarin e Vllaznisë. E pafat aventura në Kupë për shqiptarin tjetër që militon në Turqi, Gilman Lika. Boluspori, skuadra për të cilën luan mesfushori i Kombëtares (i grumbulluar për sfidën e radhës me Suedinë), doli e mposhtur nga fusha e Kastamonusporit, me rezultatin 4:2.
e. k.
e. k.