Nisin punimet për rrugën Kuçovë-Elbasan
KUÇOVE - Rruga që do të lidhë qytetin e Kuçovës me Elbasanin së shpejti do të fillojë të ndërtohet. Ky aks do t'i hapë rrugë zhvillimit ekonomik, sidomos për qytetin e varfër të Kuçovës. Burime nga Këshilli i Qarkut të Beratit bënë të ditur se për ndërtimin e kësaj rruge, qeveria ka dhënë një fond fillestar prej 350 milionë lekësh. Kjo shumë do të shërbejë për fazën e parë të punimeve të aksit të shumëpritur prej vitesh të banorëve të qytetit të naftës. Lajmin e bëri të ditur dje edhe vetë kryetari i Këshillit të Qarkut, Pelivan Shatri. Sipas tij, fillimi i punimeve të këtij aksi rrugor do të shërbejë për nxjerrjen nga zona "xhep" këtë qytet, i cili prej vitesh vuan varfërinë. Lidhja e dy qyteteve parashikohet të ndikojë në uljen e varfërisë dhe zhvillimin dypalësh në shumë drejtime. Lajmi është mirëpritur nga qyteti me 50 mijë banorë. d.xh