Ndotja akustike, asnjë mjet për të ndëshkuar abuzuesit
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Institucionet në Shkodër janë të papërgatitura për të konstatuar apo marrë masa ndëshkuese sipas ligjit, në rastet e ndotjes akustike. Këtë shqetësim e ngriti dje drejtori i Zyrës Rajonale të Mjedisit në Shkodër, Lilian Idrizi në një tryezë pune me përfaqësues të ndryshëm vendorë. Në fakt, iniciativa e kësaj tryeze ishte e prefektit të Shkodrës Maxhid Cungu, nisur edhe nga shqetësimet e shumta të qytetarëve. Në takim ishin përfaqësues të Policisë së Qarkut Shkodër, të Policisë Bashkiake, të Zyrës Rajonale të Mjedisit, Inspektoratit të Punës, si dhe të Drejtorisë së Shëndetit Publik. Ankesat e familjeve shkodrane, sidomos nga muzika e lartë e lokaleve, janë mjaft evidente. Por ndërhyrja për të kontrolluar këtë situatë është tepër e vështirë, pasi mungojnë instrumentet e duhur ligjorë për të vepruar. Një situatë e tillë bëri që Prefektura të shohë të arsyeshme ngritjen e një grupi të përbashkët, me qëllim që të organizohet puna për menaxhimin e këtij fenomeni mjaft problematik. Kreu i Zyrës Rajonale të Mjedisit, Lilian Idrizi u shpreh se ndodhen të papërgatitur për të përballuar këtë situatë. "Na mungojnë instrumentet e duhur për të matur shkallën e ndotjes akustike në ambiente të ndryshme nga zhurmat. Kur nuk ke si e mat nivelin e kësaj ndotjeje, institucionet e shtetit nuk mund të gjobisin apriori bizneset", u shpreh Idrizi. Ndërkohë, përfaqësuesi i Drejtorisë së Shëndetit Publik e paraqiti situatën edhe më alarmante. Sipas tij, nuk janë vetëm lokalet që me muzikën e tyre shkaktojnë ndotje akustike. Ai renditi ndër ndotësit kryesorë edhe ndërtimet e ndryshme, prerjen e drurëve me motosharra, etj. Prefekti Cungu e konsideroi si të domosdoshme ngritjen e një grupi pune, në përbërje të së cilit do të jenë përfaqësues nga Prefektura, Policia e Shtetit, Policia Bashkiake, Zyra e Mjedisit, Drejtoria e Shëndetit Publik, Inspektorati i Punës etj. Ata do të kenë të drejtë, që t'u kërkojnë bizneseve dokumentacionin e ushtrimit të detyrës, si dhe oraret e punës. Njëkohësisht është kërkuar që të ndërtohet një hartë me bizneset kryesore, të cilat janë protagonistë të kësaj ndotjeje. Më pas do të ushtrohen kontrolle të herëpashershme me qëllim disiplinimin e veprimtarisë së tyre.