Dëmtohet Karaburuni, priten masivisht drurët e rrallë
Një tjetër masakër mjedisore po ndodh me drurët e rrallë, këtë herë në Karaburun. Parku Kombëtar i Karaburunit po dëmtohet nga dita në ditë ndërkohë që ndërmarrja pyjore deklaron se nuk ka dijeni për prerjet masive të drurëve.
Më të prekurit vitet e fundit janë drurët e Valanidhit të cilët vijojnë të jenë pre e abuzimeve. Prerjet janë bërë në një zonë larg vëmendjes, e cila ndodhet thuajse e izoluar, ku janë të paktë ata që mund të shkelin, nëpërmjet rrugës detare, apo tokësore.
Drejtori i pyjores në Vlorë, së bashku me drejtues të sektorit të policisë pyjore shprehen se nuk kanë dijeni për prerjen e drurëve, edhe pse disa punonjës të pyjores vetëm pak ditë më parë kanë qenë në zonën e Karaburunit. Punonjësit janë justifikuar se kanë shkuar aty për disa gjuetarë, por nuk kanë pranuar të kenë parë asgjë në lidhje me prerjen e drurëve.
Prerje të reja, apo të vjetra, siç kanë tentuar të shpjegohen pranë drejtorisë pyjore në Vlorë, ato tashmë gjenden të stivosur dhe gati për tu transportuar në një destinacion që momentalisht është i panjohur dhe po aq anonime mbeten edhe personat e përfshirë në shkaktimin e këtij dëmi.
Ndërkohë që situata në këtë gadishull, ku druri i Valanidhit është një dru i rrallë dhe që vetëm në këto dy zona rritet, papërgjegjshmëria e personave të cilët vijojnë prerjen pa kriter të drurëve do të bëjë të mudnur që për pak kohë ky gadishull të kthehet në një zonë të zhveshur nga pyjet.
Drurët kanë një vlerë financiare, e cila llogaritet në bazë të diametrit, nga 15 në 30 mijë lekë të reja. Në Vlorë dëmtimet në drurë pyjorë kanë qenë të shumta. Vite më parë janë dëmtuar Ilqet në zonat e lumit të Vlorës për të cilat ka patur edhe procedime penale.