E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmtohet Parku i Liqenit, Bashkia e Tiranës padit shkollën

Share

Bashkia e Tiranës depozitoi një padi penale ndaj institucionit arsimor Wilson, që ndodhet në zemër të Parkut të Liqenit, pasi akuzohet se ka shkaktuar një masakër me pyjet aty. Në një njoftim thuhet se Policia Bashkiake ka zbuluar provat dhe autorët e kësaj vepre. Nënkryetari i Bashkisë, Edmond Panariti, tha se kjo është një ngjarje indinjuese. Në emër të Bashkisë së Tiranës, më lejoni të shpreh tronditjen e thellë por njëkohësisht edhe indinjatën e thellë për këtë masakër mjedisore, për këtë krim mjedisor, por njëkohësisht më lejoni  të shpreh edhe përçmimin e neverinë, ndaj aktorëve që janë protagonistë të këtij shkatërrimi, të kësaj prerje abuzive, të prerjes së pemëve në parkun Natyror të Liqenit Artificial. Bëhet akoma më dramatike dhe problematike kjo situatë, kur në qendër të ngjarjes ndodhet i përfshirë një institucion arsimor, i cili duhet të bëjë të kundërtën. Ai duhet të promovojë dashurinë e studentëve dhe nxënësve për mjedisin, për ruajtjen e tij dhe për fat të keq jep shembullin e kundërt. Më lejoni njëkohësisht tju bëj të ditur edhe vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës, për të marrë masa të rrepta, për të bërë kallëzim penal ndaj aktorëve që janë përgjegjës për këtë masakër mjedisore. Njëkohësisht, në bashkëpunim me organet e pushtetit qendror, ne do të marrim të gjithë masat e tjera, deri në revokim të licencës për ushtrimin e aktivitetit, tha Panariti.

Duke filluar që nga dita e nesërme, Bashkia e Tiranës do të organizohet për të bërë një inventarizim të detajuar të çdo bime, të çdo peme, të çdo shkurre dekorative në Parkun e  Liqenit Artificial dhe kjo pas dy tre ditësh do të shoqërohet edhe me kalimin e statusit të Parkut Natyror Rajonal për Liqenin që do të jetë garancia dhe mbrojtja ligjore që do i jepet këtij fondi të vyer të kryeqytetit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›