E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestë kundër dhunës ndaj grave

24/11/2011  Kërkohet ashpërsimi i masave ndëshkuese për abuzuesit

Vetëm gjatë këtij viti dhuna në familje ka shkaktuar 17 viktima

Mungesa e ndëshkueshmërisë penale për dhunën në familje ka nxjerrë në protestë gjatë ditës së djeshme përfaqësuesit e shoqërisë civile kundër dhunës me bazë gjinore, duke kërkuar ashpërsimin e masave ndëshkimore ndaj abuzuesve. Me moton “ndal dhunës në familje”, grupi i shoqatave për të drejtat e grave janë mbledhur dje përpara Kryeministrisë në kohën kur zhvillohej mbledhja e qeverisë, për të kërkuar vëmendjen e dikastereve mbi frenimin e dhunës në familje, e cila së fundi ka rritur në kufij alarmues. Sipas të dhënave të raportuara, nga fillimi i vitit e deri tani kanë humbur jetën 17 gra të vrara brenda familjes në mënyra nga më ekstremet, si dhe konfirmohet se një në tri gra dhunohet brenda mureve të shtëpisë. “Prandaj kërkojmë që Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi të shpejtojnë, duke vendosur një vepër penale të posaçme në Kodin Penal, që të dënojë dhunën sistematike, që shkel dinjitetin dhe personalitetin e anëtarëve të familjes, në mënyrë të veçantë të grave dhe fëmijëve”, - konfirmohet nga organizuesit e protestës. Më tej sqarohet se kjo masë duhet të shoqërohet edhe me ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, me qëllim që ndjekja penale e dhunuesve brenda familjes të jetë një çështje që ndiqet nga shteti përmes prokurorisë, në mënyrë që kjo e fundit të mos lërë të vetme viktimën në një proces të gjatë gjyqësor. Duke mbajtur në duar pankarta me portretet e grave viktima të krimit në familje, për më shumë se një orë gratë kanë kërkuar vëmendjen dhe ndërhyrjen e institucioneve kundrejt këtij fenomeni shqetësues.

Bashkia e Tiranës kontrolle në tregje, tek Medreseja, Stacioni i Trenit, sheshi “Avni Rustemi” e tregu Çam

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›