E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmtohet rëndë imazhi i Shqipërisë

Nga Kastriot Islami

Të gjithë drejtuesit e Asamblesë Parlamentare janë të bindur tanimë se janë dhunuar procedurat parlamentare për caktimin e anëtarëve të delegacionit të Këshillin e Evropës. Ky debat është zhvilluar edhe të dielën në darkë, dhe në mbledhjen e Byrosë së Asamblesë në mëngjesin e së hënës para seancës parlamentare. Edhe drejtuesit e anëtarët e grupit politik prononcohen të habitur dhe të çuditur nga ky veprim brenda një partie që bën pjesë në grupin e partive të djathta. Të shqetësuar janë dhe presidenti i APKE, Luis Maira de Puig, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Terry Davis. Asnjë prej tyre nuk arrin të kuptojë, përse është marrë ky vendim që eliminon kryetarin e delegacionit të Shqipërisë në KE. Argumenti për abuzim me shpenzimet konsiderohet qesharak në mbledhjen e grupit të partive popullore.

Me këtë rast Shqipëria humbet gjithashtu postin e zëvendëspresidentit të Asamblesë Parlamentare të KE, pozicionin e zëvendëspresidentit të Komisionit të Rregullores e të Procedurave dhe atë të raportuesit për krimet e kryera në periudhën e Stalinit të Ukrainë.

Kontestimin e ka bërë kryetari i grupit liberal, deputeti hungarez Matyas Ewrsi, i cili i është referuar pikës 7 rregullores së Asamblesë Parlamentare të KE me titull “Kontestimi i kredencialeve ende të paratifikuara për arsye formale”. Në këtë mënyrë vetëm kredencialet e delegacionit të Shqipërisë nuk janë ratifikuar. Pra, ndryshe nga të gjitha delegacionet e tjera, Shqipëria e vetme është me kredenciale të paratifikuara. Kjo nuk ka ndodhur as me Rusinë e Gjeorgjinë për shkak të luftës, as me Armeninë, ku zgjedhjet janë shoqëruar me përplasje dhe arrestime politike dhe as me Azerbajxhanin që ka zhvilluar zgjedhje të kontestueshme. Të katër këto vende janë në grupin e vendeve me demokraci hibride. Kjo është e rëndësishme për dëmtimin e imazhit e vendit. Pra, delegacioni është me mandat të paratifikuara, për shkak të kontestimit dhe është debat banal, nëse ka të drejtë vote apo jo.

Më tej çështja dërgohet në Komisionin e Rregullores dhe të Procedurave, i cili të martën përgatit një raport dhe një rezolutë bazuar në pikën 7.3 të rregullores, ku përcaktohet: i) ratifikohen mandatet, ose 2) nuk ratifikohen mandatet, ose 3) ratifikimi i kredencialeve me përjashtim të anëtarit të kontestuar. Dhe më tej, kjo rezolutë diskutohet në seancë plenare dhe merret vendimi përkatës. Kjo do të ndodhë të enjten në sesionin e paradites. Po këto ditë diskutohet raporti i monitorimit. Po kështu, si shumë rrallë është vendosur që të dy raportuesit të vijnë në një vizitë urgjente në Shqipëri për dy çështje: i) çështjen Biberaj dhe ii) ligjin e lustrimit. Dhe kjo do të thotë se do të shikohet nga afër jo vetëm aspekti formal, por edhe i përmbajtjes për çështjen Biberaj.

Me këtë veprim i) është dëmtuar rëndë imazhi i vendit, ii) Shqipëria ka humbur disa pozicione të rëndësishme në APKE që i kishte fituar me një punë katërvjeçare, iii) do të vazhdojë të mbetet monitorimi i vendit nga Komisioni i Monitorimit i APKE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›