E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet vëmendja te ruajtja e Iso-Polifonisë



Petrika GROSI
Ndërsa për trashëgiminë kulturore materiale (monumentet e kulturës, dorëshkrimet, veshjet e vjetra popullore, instrumentet, reliktet etj.) është folur, debatuar, investuar dhe në një farë mënyre janë marrë masa për ruajtjen e saj dhe ka një inventarizim të hershëm, për më tepër që kjo lloj trashëgimie është dëshmia më e mirë e vetvetes, me atë që quhet trashëgimia shpirtërore shqiptare, për fat të keq nuk ndodh e njëjta gjë. Kështu, organizatat ndërkombëtare si UNESCO apo Këshilli i Muzikës Shqiptare (anëtar i IMC/UNESCO-s), kthejnë vëmendjen tek katalogimi i vlerave të trashëgimisë shpirtërore shqiptare si një domosdoshmëri. Kësaj here bëhet fjalë për seminarin e parë që organizohet për këtë qëllim ditën e mërkurë, në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Siç njoftojnë organizatorët, Këshilli i Muzikës Shqiptare, në bashkëpunim me Komisionin Kombëtar të UNESCO-s, në kuadër të projektit “Safeguarding the Albanian Folk Iso-Polyphony - a Unesco masterpiece of the Oral and Intangible Heritage of Humanity”, me mbështetjen e UNESCO/Japan Funds in Trust, për Ruajtjen dhe Promovimin e Trashëgimisë Shpirtërore do të organizojnë seminarin “Katalogimi i trashëgimisë kulturore shpirtërore”. Në këtë seminar (workshop) pritet që të marrin pjesë specialistë të ndryshëm të fushës, punonjës të institucioneve kulturore të trashëgimisë kulturore në qendër dhe në bazë, studentë dhe të interesuar të fushës së trashëgimisë kulturore shpirtërore. Katalogimi i vlerave të trashëgimisë kulturore shpirtërore është një fushë e re pune për trashëgiminë kulturore shqiptare. Ligji 9048, datë 07.04.2003 “Për trashëgimisë kulturore” (i ndryshuar) parashikon krijimin e Komitetit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore, i cili, ndër të tjera, duhet të shpallë edhe listën tonë të “Kryeveprave të trashëgimisë kulturore shpirtërore”, kjo krahas listës së monumenteve të kulturës materiale, e cila tashmë ekziston prej vitit 1948. Detyrimet për thellim të mëtejshëm në fushën e katalogimit të vlerave të trashëgimisë kulturore shpirtërore rriten pas shpalljes së “Iso-Polifonisë Popullore Shqiptare” si “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit” - UNESCO e në mënyrë të veçantë pas ratifikimit që Shqipëria i bëri Konventës së UNESCO-s “Për trashëgiminë shpirtërore” në vitin 2006, ku parashikohet edhe hedhja e hapave konkrete për katalogimin e trashëgimisë shpirtërore. Të ftuar në këtë aktivitet do të jenë: Elida Petoshati, përfaqësuese e Komisionit Kombëtar të UNESCO-s pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme; akademik Muzafer Korkuti, drejtori i Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore; prof. dr. Miaser Dibra etj. Seanca do të drejtohet nga prof. dr Fatmir Hysi, ndërkohë që do të referojë me kumtesën e tij “Konventa e UNESCO-s për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shpirtërore”, akademiku dhe muzikologu i njohur, prof. Vasil S. Tole. Për realizimin e këtij workshopi bashkëpunojnë disa institucione dhe shoqata kulturore si Akademia e Shkencave, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve, Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore, Fondacioni “Albanian Heritage”, Seksioni Shqiptar i Cioff-it.

27 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›