Diveroli po gjykohet, se ka falsifikuar origjinën kineze të fishekëve nga Shqipëria
Një tregtar armësh nga Miami Beach, i akuzuar për mashtrim ndaj qeverisë federale, është 4,2 milionë dollarë më i pasur. Faktikisht, paratë tashmë i përkisnin 23-vjeçarit Efraim Diveroli, por qeveria i ngriu ato, pasi Diveroli, kompania e tij, AEY Inc, dhe tre bashkëpunëtorë u akuzuan verën e shkuar për shitje municioni kinez të ndaluar për ushtrinë amerikane, e cila furnizonte forcat aleate në Afganistan.
Prokurorët pranuan kohët e fundit që t’i zhbllokojnë fondet, pasi zbuluan se paratë vërtet vinin nga kontrata për shitje armësh rreth 300 milionë dollarë me Forcat e Armatosura të SHBA, por nuk kishin të bënin me shitjen e municionit kinez.
Zhbllokimi i këtyre milionave, megjithatë, është një fitore e vogël. Diveroli, të cilin gjyshi i tij e përshkroi njëherë si “gjeni” për armët, ende akuzohet se i ka shitur ushtrisë 10,3 milionë dollarë municione kineze të ndaluara, që punonjësit e tij u përpoqën t’i fshihnin si të prodhuara në Shqipëri.
Prokurorët do të kërkojnë të shpëtojnë 10,3 milionë dollarë, së bashku me makinën Mercedes-Benz S550 të Diverolit, nëse ata fitojnë në gjyqin ndaj Diverolit dhe të tjerëve në shtator.
Çështja përqendrohet tek embargoja ndaj armëve kineze, e miratuar nga Kongresi në vitin 1989 si përgjigje për masakrën kundër disidentëve në sheshin Tiananmen. Pavarësisht normalizimit të marrëdhënieve tregtare me Kinën, kjo embargo është në fuqi.
Tani avokatët e Diverolit po mundohen ta çlirojnë atë nga akuzat, duke thënë se ai nuk e ka shkelur embargon amerikane, sepse Shqipëria e ka siguruar municionin kinez gjatë Luftës së Ftohtë, rreth 15-27 vjet para se embargo të hynte në fuqi. Diveroli e bleu atë nga fundi i vitit 2007.
“Pavarësisht faktit se embargo nuk ishte vendosur deri në vitin 1989, akuzat bazohen te teoria se, edhe shitja e municioneve të prodhuara para embargos, dhunon embargon dhe ligjet (federale)”, - shkruan në dokumentet e gjyqit avokatët Howard Srebnick dhe Hy Shapiro. Ata thanë se çështja kriminale e qeverisë është “e gabuar, për sa i përket ligjit.”
Por prokurorët thonë se avokatët po krijojnë mjegull, aty ku s’ka asgjë të paqartë. Prokurorët thanë se një ligj i Departamentit të Mbrojtjes në kontratën e AEY e ndalon tregtarin të ofrojë municion “të marrë direkt ose tërthorazi nga kompanitë ushtarake kineze.” Ata thanë se fjala “tërthorazi” i adresohet blerjes së municionit kinez nga qeveria shqiptare, pavarësisht kalimit të kohës, dhe shitjes së tij për ushtrinë amerikane.
Gjykatësi Judge Joan Lenard mund ta refuzojë kërkesën e mbrojtjes në çdo kohë.
Në 2007, Departamenti i Shtetit i dërgoi e-mail tregtarit të ri nga Miami Beach, ku thoshte se ai nuk mund t’i shiste armë kineze qeverisë amerikane për të furnizuar forcat aleate në Afganistan, për shkak të akuzave. Por Diveroli, presidenti i AEY dhe tre të punësuarit e tij, nuk pranuan, thanë prokurorët. Ata madje e rregulluan që shenjat “Made in China” të hiqeshin nga arkat e municionit që niseshin në Afganistan, për të fshehur origjinën e armëve, thanë ata në dokumentet e gjyqit.
“Me qëllim që të fshihte origjinën e vërtetë të municionit, të akuzuarit ripaketuan municionin dhe e prezantuan atë si të prodhuar dhe me origjinë Shqipërinë”, - shkruajnë asistentë-prokurorët James Koukios dhe Eloisa Delgado Fernandez. Aktakuza e ngarkon Diverolin dhe punonjësit e kompanisë së tij - David Packouz, 26, nga Miami; Alexander Podrizki, 26, nga Miami dhe Ralph Merrill, 65, nga Salt Lake City, Utah, me mashtrim të Shteteve të Bashkuara dhe shkelje të tjera të ligjit të prokurimeve. Të gjithë janë të lirë në pritje të gjyqit.
Historia jo e zakonshme e Diverolit u zbulua në mars 2008, kur gazeta “The New York Times” raportoi se ai dyshohej se kishte keqinformuar Forcat e Armatosura duke u thënë se pjesa më madhe e municionit të automatikëve vinte nga vendet e ish-bllokut sovjetik dhe jo nga Kina. Municioni ishte për forcat afgane që luftojnë talibanët dhe al-Kaedan.
Pentagoni e pezulloi kontratën e AEY në mars dhe e ndërpreu në maj, duke konkluduar se “AEY dhunoi kushtet e kontratës duke ofruar municion nga një burim i ndaluar.”
“Pavarësisht pohimeve të AEY, nuk ka asnjë përjashtim për të shitur municion kinez të siguruar nga një burim tjetër dhe pavarësisht kohës së prodhimit të tij”, - i shkroi Diverolit oficeri i prokurimit, Kim M. Jones.
Zbulimi se Forcat e Armatosura bashkëpunonin në një kontratë prej qindra miliona dollarësh me një person kaq të ri i tronditi anëtarët e Kongresit.
Komisioni i Kongresit për Vëzhgimin e Reformave të Qeverisë, i kryesuar nga Henry Waxman, R-Calif, organizoi një seancë dëgjimi në qershor, ku ekzaminoi jo vetëm kontratën, por edhe dyshimet se ambasadori amerikan në Shqipëri dhe ministri shqiptar i Mbrojtjes mund të kenë qenë përfshirë në mbulimin e origjinës reale të municionit. Nuk dihet, nëse komisioni i vëzhgimit, tani i kryesuar nga një kongresmen tjetër, do ta rishikojë kontratën e Diverolit me Pentagonin këtë vit. Asgjë nuk është programuar.