“Mësimi” kosovar duartrokitet në Leçe
Të premten e kaluar, në skenën e teatrit “Cantieri Teatrali Koreja”, në Leçe të Italisë, i cili njihet si një nga stacionet e rëndësishme artistike të regjisorëve të njohur nga vende të ndryshme të botës, u dha shfaqja “Mësimi” e regjisorit Bekim Lumi. Interpretimi i aktorëve Astrit Kabashi e Adriana Matoshi u mirëprit me emocion të veçantë dhe me duartrokitje të gjata nga spektatorët e Leçes, të cilët e kishin mbushur sallën e këtij teatri. Gjithashtu, shfaqja “Mësimi”, përmes shkrimeve të ndryshme, është prezantuar në disa nga gazetat kryesore italiane
Gjithashtu, në katalogun “Strade Maestre” të teatrit “Cantieri Teatrali Koreja”, shfaqja “Mësimi” ka zënë vend pranë njërës nga shfaqjet e Theatre des Bouffes du Nord të regjisorit legjendar Peter Brook, e cila në këtë teatër do të shfaqet pas një jave. Udhëtimi i “Mësimi”-t nga Kosova drejt Leçes ishte rezultat i pjesëmarrjes së kësaj shfaqjeje në Festivalin Ndërkombëtar “Incontri Teatrali” në Lugano të Zvicrës, në prill të vitit 2008, ku kjo shfaqje, bashkë me pjesë të tjera zvicerane e italiane, është paraqitur para producentëve dhe menaxherëve nga vende të ndryshme të botës. Në këtë festival me karakter prezantues, shfaqja nga Kosova u piketua nga dy teatro italiane, përkatësisht nga “Cantieri Teatrali Koreja” nga Leçe dhe Galleria Toledo nga Napoli, të cilat e kanë blerë shfaqjen “Mësimi”.
27 Janar 2009