Edhe Atin Lala humbet Maltën
Mesfushori i Hanoverit dhe kapiteni i Kombëtares shqiptare duket se ka humbur çdo mundësi për të qenë në fushë kundër Maltës më 11 shkurt 2009. Altin Lala do të jetë plotësisht “fit” vetëm në muajin mars. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta gjermane “Neue Presse”. Mungesa e lojtarit me më shumë ndeshje në skuadrën aktuale të Shqipërisë (70 takime ndërkombëtare) është një shqetësim jo i vogël për trajnerin Ari Han. Edhe zëvendëskapiteni i Shqipërisë e kapiteni i Olimpikut të Marsejes, Lorik Cana, për shkak të problemeve me gjurin (ende të ënjtur), nuk do të jetë i gatshëm në ndeshjen e pestë ndërkombëtare të Shqipërisë kundër Maltës. Lorik Cana, duke folur sërish për mediat franceze, pas kontrollit të ri mjekësor ditën e hënë, përsëriti se ende nuk di një datë se kur do të rikthehet në kampionatin francez. “Nuk ka një datë fikse, por për tri javët e ardhshme të Olimpikut është e sigurt që nuk do të jem. (Dëmtimi) Zgjati më shumë kohë se sa parashikohej, por morëm vendimin për t’i vendosur shanset nga ana jonë e për të përfunduar sezonin. Periudha e ënjtjes së gjurit mund të zgjasë nga katër në gjashtë javë. Tani jemi në javën e katërt. Ënjtja është qetësuar. Aktualisht jam duke punuar shumë në pishinë dhe në biçikletë, por nuk është e njëjta punë si në fushë”.
RAMA - Talenti më i ri shqiptar, Renaldo Rama, do të kryejë gjatë kësaj jave një provë trajnimi te Hanover 96. Lajmi bëhet i ditur nga faqja zyrtare e klubit gjerman. Edhe patrioti i tij, Altin Lala, sipas gazetës “Neue Presse”, ka thënë fjalë të mira për Ramën. 18-vjeçari shënoi një dygolësh dhe dha dy asiste në fitoren 5-0 të Tus Koblencit në miqësoren kundër SV Rosbah (dy gola në këtë takim shënoi edhe Njazi Kuqin). Sipas faqes zyrtare të Tus Koblenz, Rama, me driblimet e tij, shpejtësinë në aksione dhe harmoninë e treguar me shokët e skuadrës e bindi trajnerin Uve Rapolder për vlerat e tij. Sipas faqes zyrtare të Hanoverit, në këtë takim kishte dhe “beobachter” (vëzhgues) nga klubi i Altin Lalës. Renaldo Rama është në kontratë me Olimpiakosin e Pireut.
ÇANI – Rikuperimi dhe rikthimi në skuadër i Kristiano Bukit me Askolin, mund të shënojë edhe lamtumirën e Edgar Çanit me bluzën e bardhezinjve. Sulmuesi shqiptar, nëse deri para pak kohësh po fitonte besimin e drejtuesve të Askolit me paraqitjet e tij, me rikthimin e ish-bomberit të Napolit në skuadër minutat e Çanit do të jenë gjithmonë e më të pakta. “Vieri i ri”, siç thirret nga gazetarët italianë, ka filluar bisedimet me klube të ndryshme të Serisë B. Një gjë të tillë e ka konfirmuar dhe agjenti i tij, Domeniko Skopeliti: "Për Çanin mund të ketë lajme të reja përsa i përket merkatos. Për lojtarin në fjalë mund të ketë gjithmonë e më pak vend në skuadër, pas rikthimit të Bukit. Kartonin e Egdar Canit e zotëron Palermo dhe ai është në formë huaje për të fituar eksperiencë. Albinolefe, Piza dhe Salernitana janë mjaft të interesuara për të marrë shërbimet e 19-vjeçarit".
27 Janar 2009