E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëmton prodhimin vendas, prish balancat tregtare si dhe krijon monopole në treg

03-11-2011 / Gazeta 55

Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar kundër propozimit të Edi Ramës për TVSH-në

Këshilli i Agrobiznesit shqiptar, ka deklaruar dje se propozimi i Partisë Socialiste për heqjen e TVSH-së për prodhimet bujqësore, është i dëmshëm për ekonominë e vendit, duke nxjerrë jashtë tregut prodhimet vendase si dhe cenuar balancat import-eksport. Presidenti i këtij këshilli, Enver Ferizaj, u shpreh se heqja e TVSH-së nuk do çonte në uljen e çmimeve të prodhimit bujqësor.
Sipas tij, bujqësia shqiptare operon në një treg të lirë, mbi bazën e nënshkrimit të marrëveshjeve të MSA-s e CEFTA-s çka nënkupton që ajo nuk mund të zhvillohet pa taksa e TVSH. “Kur flasim për uljen e TVSH-se, te një produkti qofte i importuar apo prodhim vendas, prioritare duhet të jetë politika e lehtësimit (ose uljes së kostos) që shkon te konsumatori, në mënyrë që ai të ndjejë dhe prekë realisht uljen e çmimeve. Sipas mendimit tone, (KASH) marrja e kësaj iniciative pa një strategji te mirëfilltë, pa e politizuar problemin, dëmton interesat e prodhuesve vendas, konsumatorit, prish balancat në treg dhe ndikon negativisht ne mbledhjen e ardhurave ne shkalle vendi. Të ardhura të cilat indirekt i përfiton e gjithë shoqëria nëpërmjet infrastrukturës, shërbimit shëndetësor arsimor etj,. KASH, është bashkim i 23 shoqatave te agrobiznesit. Misioni i tij është mbrojtja e interesave të prodhuesve vendas, nxitja e zhvillimit të biznesit bujqësor dhe përmbushja e kërkesave të konsumatorëve. Propozimi i kujtdo qoftë që kërkon ulje të TVSH për prodhimet bujqësore e blegtorale është as më shumë e as më pak tendencë me dashje ose nga mos dija për dëmtimin e prodhimit vendas, duke i hapur rrugë me dashje prodhimit të importit i cili dëmton seriozisht prodhimin vendor dhe nuk ndikon aspak ne uljen e çmimit për konsumatorin vendas, por do të kënaqë vetëm disa importues që do të mbajnë çmime të larta në treg. Për këtë i referohen çmimeve të produkteve të importuara, të cilave duke ju zbritur  TVSH-ne, rezultati del se janë me te larta se prodhimet e fermerëve shqiptare. E dyta importi i drithërave, vajit, sheqerit, orizit është i përqendruar ne 5 – 10 duar dhe i gjithë përfitimi do te shkonte tek importuesit dhe efekti ndaj konsumatorit do te ishte zero. E treta, ne prodhojmë 50 për qind te drithërave te bukës ne vend dhe ulja e TVSH dhe sikur të ulte çmimin e importit do te dëmtonte prodhimin vendor nga fermerët tanë qe furnizojnë 50 për qind e me tepër te nevojave te vendit. Do te thotë ulja e interes për mbjelljen e grurit, të misrit, do të thotë lenia e sipërfaqeve të tokës pa mbjellë dhe rritje e papunësisë në zonat rurale. Ne mendojmë qe dhe kultura e grurit dhe e misrit, e lulediellit duhet te gjenden rrugë për t’i stimuluar, për te rritur sipërfaqen e mbjelljeve dhe jo për ta pakësuar”, tha presidenti i KASH, Enver Ferizaj.
Sipas tij, pra prape e themi se nuk mund te ndikojmë ne bursat evropiane e ndërkombëtare. Ndihma me financime nga qeveria mund të jetë për çdo hektar të mbjellë apo për çdo ton prodhim të dorëzuar tek agro-përpunuesit, si ai i vajit të lulediellit, fermave blegtorale etj.
Për sa i përket çmimit të vezëve që kërkohet të ulet TVSH, ne sot kapacitetet instaluese për prodhimin e vezëve i disponojmë falë investimit nga sektori privat sa dyfishi i nevojave të vendit. Pra, jemi duke eksportuar në vendet e BE dhe kërkohen tregje të tjera eksporti. Sot, ne nga teprica e prodhimit të vezëve në vend, shfrytëzojmë jo më shumë se 50 për qind të kapaciteteve të instaluara në ketë sektor, mbasi kemi dhe prodhuesit e fermave vetjake në shkallë vendi, për të cilën 50 për qind e popullatës furnizohen nga prodhimet e tyre dhe pjesa tjetër teprica kalon në treg për zonat urbane.
“Për sheqerin, orizin duhet të qëndroje TVSH siç ju shpjegova me lart për arsyet e lart përmendura, pasi ne këto artikuj momentalisht nuk i prodhojmë dhe nuk mund te ndikojmë ne çmimet ndërkombëtare, por kjo ulje do të përfitohej vetëm nga importuesit e pakët që e kanë të përqendruar këtë biznes edhe pse është i liberalizuar tregu por kjo nuk është praktikë vetëm e vendit tonë, por është praktikë edhe e vendeve të tjera. Kjo vjen e para nga mundësitë financiare që ata kanë, e dyta nga ekskluziviteti që ata disponojnë dhe e treta operatorët e rinj i godasin me çmim ose me mënyra të tjera duke i nxjerrë nga tregu. Për prodhimin e qumështit e nënproduktet e tij, ne plotësojmë nevojat e vendit për të gjithë treguesit e përpunimit të qumështit. Ndërsa industria e mishit plotëson 60% të nevojave të popullatës. Kërkohet stimuli ne prodhimin e mishit, skeme e cila nuk është mbështetur, gjithashtu kërkohet heqja e TVSH për inputet bujqësore pasi ka ndikim drejtpërdrejte ne rritjen e prodhimit bujqësor e blegtoral. Vetëm ne rrugët qe te çojnë ne rritjen e prodhimit vendor duhet te ndërhyjmë ne problemet fiskale”,– thekson zoti Ferizaj.
Më tej ai shton se “KASH po përgatit një nismë për heqjen e TVSH për inputet bujqësore, jo për importuesit, ata duhet të jenë me TVSH për arsye se dhe këta do të abuzonin si importuesit e tjerë që thamë më lart. Por vlera e TVSH së inputeve bujqësore sipas projektit të KASH do të jetë direkt për fermerin, kjo është në studim, por brenda muajit nëntor ne do t’ia paraqesim MBUMK, Ministrisë se Financave dhe Qeverisë. Mendojmë se shteti duhet të shtojë grante për bujqësinë për të gjithë sektorët. Edhe pse ka një vëmendje në këtë drejtim me mbështetje, me grante dhe infrastrukturë duhet të shtohen 2 apo dhe 3 fish grante për bujqësinë nga ajo që është sot. Për ta ilustruar nga mbështetja me grante për 4 vjet rresht te disa skemave te prodhimeve bujqësore e blegtorale sado të pamjaftueshme që janë kanë dhënë impakt pozitiv ne rritjen e prodhimit vjetor, të bujqësisë mbi 8 për qind, të rritjes së eksportit me fruta perime mbi 3 herë, të uljes së importit me disa herë si p.sh mbi 10 herë është ulur importi i mollëve dhe ai i rrushit etj”, tha më tej ai.
Këshilli Agrobiznesit Shqiptar (KASH), është një nga aktorët kryesore të mbrojtjes së interesave të agro-industrisë e fermerëve të bujqësisë, nxitja e zhvillimit të biznesit bujqësor dhe përmbushja e kërkesave të konsumatorëve. KASH, është bashkim i 23 shoqatave të agrobiznesit. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›