Si mund të kurohet ekonomia?
Për sa kohë kriza ekonomike, që filloi në vitin 2007 vazhdon, pyetja në mendjet e të gjithëve është e qartë: Pse? Edhe pse i kemi më të qarta shkaqet e krizës, përsëri nuk mund të zbatojmë një strategji efektive rikuperuese. Dhe, deri më tani, s’kemi bërë dot asgjë.
Në fillim u tha se kjo ishte një krizë financiare, kështu që qeveritë në të dyja anët e Atlantikut u fokusuan tek bankat. Programe stimuluese u krijuan për të lehtësuar në mënyrë të përkohshëm situatën. Ato ishin të nevojshme për të kapërcyer hendekun deri sa sektori financiar të rimerrte veten dhe huadhënësit privatë të rifillonin punën. Por, ndërkohë që profitabiliteti dhe shpërblimet bankare u rikthyen, kreditimi nuk e mori veten, edhe pse normat e interesit afat-shkurtër dhe afat gjatë patën një ulje rekord.
Bankat pretendojnë se kreditimi mbeti i kufizuar nga mungesa e huamarrësve (kreditorëve) dhe kjo mungesë, sipas bankave, vjen për shkak të një ekonomie jo të shëndoshë. Dhe të dhënat kryesore tregojnë se bankat kanë pjesërisht të drejtë. Veç të tjerash, ndërmarrjet e mëdha disponojnë triliona dollarë kesh (para në dorë), kështu që nuk është paraja ajo që po i pengon ata të investojnë apo të rrisin punësimin. Shumë biznese të vogla janë në një situatë krejt tjetër; të varfër në fonde, ata nuk po ecin dot përpara madje shumë prej tyre janë të detyruar të bëjnë shkurtime apo të mbyllen.
Megjithatë, në përgjithësi, investimet e biznesit - me përjashtim të ndërtimit – kanë shkuar në 10% të PBB (Prodhimi i Brendshëm Bruto) (nga 10,6% përpara krizës). Me një kapacitet të tepruar në pasuri të patundshme, besimi edhe për një kohë të gjatë nuk do të arrijë në nivelin që ishte para krizës, pavarësisht nga ajo që është bërë në sektorin bankar.
Pamaturia e pafalshme e treguar në sektorin financiar ishte faktori kryesor që përshpejtoi krizën. Por ekonomia ishte mjaft e dobësuar edhe para krizës. Rritja e konsumit ishte një mbështetje e madhe për ekonominë,pa këtë mbështetje do të kishte pasur një rënie masive të kërkesës agregate. Në vend të kësaj, pati një rënie të normave të kursimit personal në 1% dhe 80% e amerikanëve po shpenzonin, çdo vit, rreth 110% të të ardhurave të tyre. Edhe nëse sektori financiar do ta kishte rimarrë veten plotësisht, madje edhe nëse këto amerikanë dorëlëshuar nuk do të kishin mësuar asgjë mbi rëndësinë që kanë kursimet, konsumi i tyre do të kufizohej në 100% të të ardhurave të tyre. Pra, kushdo që flet për të ardhura që i kthehen mbrapsht konsumatorit është duke jetuar në një botë me fantazi.
Rregullimi i sektorit financiar ishte i nevojshëm për rimëkëmbjen ekonomike, megjithatë jemi akoma shumë larg nga ajo që është e mjaftueshme. Për të kuptuar se çfarë duhet bërë, ne duhet të kuptojmë problemet e ekonomisë para se ajo të goditej nga kriza.
Së pari, Amerika dhe bota ishin viktima të suksesit të tyre. Rritja e shpejtë e produktivitetit në industritë përpunuese e tejkaloi rritjen e kërkesës, që do të thotë se punësimi në industri ra. Krahut të punës iu desh të zhvendosej tek punësimi në shërbime. Problemi është analog me atë që ndodhi në fillim të shekullit njëzet, kur rritja e shpejtë e produktivitetit në agrikulturë detyroi krahun e punës të lëvizte nga zonat rurale në qendrat urbane të prodhimit. Rënia e të ardhurave nga fermat me rreth 50% nga viti 1929 deri në vitin 1932, mund të kishte nxitur një migracion masiv. Por punëtorët kishin "ngecur" në sektorin rural: ata nuk kishin të ardhura për të lëvizur dhe të ardhurat e tyre në rënie dobësuan kërkesën agregate duke rritur papunësinë në industrinë urbane. Për Amerikën dhe Evropën nevoja e fuqisë punëtore për t’u zhvendosur nga industria vjen nga ndryshimi i avantazheve krahasuese: jo vetëm që numri total i vendeve të punës në industri në nivel global është kufizuar, por një pjesë akoma më e vogël e këtyre vendeve është lokal. Globalizimi ka qenë i vetmi faktor që ka çuar në problemin e dytë kryesor – ai ka çuar në rritjen e pabarazisë, duke zhvendosur të ardhurat nga ata që do t’i shpenzonin ato tek ata që nuk do t’i shpenzojnë duke çuar kështu në uljen e kërkesës agregate. Në të njëjtën mënyrë, duke rritur çmimin e energjisë fuqia blerëse zhvendoset nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa tek vendet eksportuese të naftës të cilat, duke njohur paqëndrueshmërinë e çmimit të energjisë, me të drejtë rrisin mjaft të ardhurat e tyre.
Problemi i fundit që ndikoi në dobësimin e kërkesës agregate globale ishte shtimi i tregjeve masive duke përdorur fondet e shkëmbimit valutor të huaj – e motivuar kjo gjë pjesërisht nga keq menaxhimi i krizës 1997-98 në Azinë Lindore nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Thesarit të SHBA-ve. Shtetet kuptuan se pa një fond shpëtimi, ata rrezikonin humbjen e sovranitetit të tyre ekonomik dhe shumë prej këtyre shteteve thanë: “Kurrë më”.
Por, krijimi i këtij fondi - aktualisht rreth $7.6 trilion për rritjen dhe zhvillimin e ekonomive – pra për t’i mbrojtur ekonomitë bëri që këto para që mblidhen nga ky fond të jenë para rezervë. Por ku po i adresojmë ne sot këto probleme që parashtruam? Duke e nisur me problemin e fundit, ato vende që grumbulluan rezerva të mëdha ishin në gjendje të përballonin më mirë krizën ekonomike, kështu nxitja për të grumbulluar rezerva është edhe më e fortë. Në mënyrë të ngjashme, ndërsa bankierët rifituan të ardhurat e tyre, punëtorët po shohim sesi po iu ulen pagat dhe orët e punës, duke e bërë më të madh hendekun e të ardhurave. Për më tepër, Shtetet e Bashkuara nuk janë liruar akoma nga varësia nga nafta. Me çmimet e naftës, akoma të lartë, përsëri mbi 100 $ për fuçi, këtë verë, paraja vazhdon të transferohet në vendet eksportuese të naftës. Transformimi strukturor i ekonomive të zhvilluara, i implementuar nga nevoja për të zhvendosur fuqinë punëtore nga degët tradicionale të industrisë, po ecën më ritme mjaft të ngadalta. Qeveria luan një rol qendror në financimin e shërbimeve që njerëzit kanë nevojë si edukimi dhe sigurimet shëndetësore.
Arsimimi dhe trajnimi i financuar nga qeveria luan një rol qendror në rivendosjen e konkurrencës në Europë dhe SHBA. Por të dyja kanë zgjedhur masa shtrënguese fiskale.
Ajo nga çfarë vuan ekonomia globale tregohet nga diagnoza: shpenzimet e mëdha të qeverisë, që synojnë lehtësimin e ristrukturimit, nxitjen e ruajtjes së energjisë dhe reduktimin e pabarazisë, si dhe një reformë në sistemin global financiar që bën të mundur grumbullimin e rezervave. Përfundimisht, udhëheqësit e botës - dhe votuesit që i zgjedhin ata – duhet të kuptojnë se për sa kohë perspektivat e rritjes vazhdojnë të dobësohen, ata nuk do të kenë zgjidhje. Por edhe sa duhet të durojmë ndërkohë?
Joseph E. Stiglitz, është profesor i Universitetit Kolumbia, laureat i çmimit Nobel në ekonomi, dhe autor i “Freefall: Free Markets and the Sinking of the Global Economy”. (Tregjet e lira dhe fundosja e ekonomisë globale)