“Taksa progresive e dështuar gjatë qeverisjes socialiste”

Edmond Spaho, deputet i PD-së
Deputeti i Partisë Demokratike dhe njëherazi kryetari i komisionit të ekonomisë dhe financave tha dje se propozimi i Edi Ramës për rishikimin e ligjit të taksave, është një demagogji politike, pasi kryesocialisti ka nisur fushatën për zgjedhjet e ardhshme. Në këtë sens, Spaho tha se përmes taksimit të sheshtë, qeveria i dha frymë biznesit si dhe rriti djeshëm punësimin.
Sipas tij, nëse do aplikohej taksimi progresiv, atëherë Shqipëria nuk do ishte më një vend i preferuar nga investitorët e huaj, pasi taksimi do ishte në shifrat 20-30 për qind.
“Sistemit i taksës prej 10 për qind është në interes të qytetarëve, sepse është biznesi ai që hap vende pune. Çfarë do t’i themi ne biznesmenëve të huaj që s’do paguani më 10 për qind, por do paguani 20 - 30 për qind më shumë taksë. Atëherë çfarë do bëhet për vendet e punës? Heqja e taksës progresive u përkthye në më shumë vende pune. Mund t’i drejtoheni përfaqësuesve të fasonëve për këtë. Nëse Rama e ka seriozisht këtë iniciativë, atëherë pse nuk e zbatoi gjatë 11 viteve në bashkinë e Tiranës? Nëse e ka seriozisht, le të fillojë me grupin e tij parlamentar, se aty ka njerëzit më të pasur. Ajo që dua të them është se kjo nismë është demagogjike, është spekulative. Qytetarët i kanë parë përfitimet e taksimit të sheshtë dhe atij progresiv. Para 5-6 vitesh mund të ishin shumë pak vende që e aplikonin taksën e sheshtë, sot janë mbi 100 vende që aplikojnë taksën 10 për qind. Të thuash se do prish sistemin e taksës së sheshtë, do të thotë të shkatërrosh sistemin e taksimit, të shkatërrosh ekonominë e vendit”, u shpreh Spaho.
Duke iu referuar heqjes së TVSH-së për prodhimet bujqësore, edhe kjo një tjetër nismë e Partisë Socialiste, eksperti i ekonomisë Edmond Spaho, tha se “qeveria do mbrojë prodhuesit vendas. Aplikimi i sistemit me dy shkallë do të ishte një premisë e mirë për evazion fiskal. Kjo metodë ka qenë gjithmonë një burim evazioni fiskal. Do hyjnë produkte ushqimore, të karakterit grurë, miell, me pretekstin ‘konsum’, por do të përfundojnë në industri të ndryshme. Arsyeja themelore është se ne duam të ruajmë atë 50 për qind të popullsisë që jeton në fshat me bujqësinë dhe ne sot po i drejtohemi tregjeve të eksporteve”, përfundoi Spaho.