E Diel, 1 Nëntor 2026

Twitter-i politik i Ramës, konfirmim i humbjes së betejës me median dhe publikun

03-11-2011 / Nga Lavdrim Lita

“Twitter” është një shërbim falas i një rrjeti social (micro-blogging) në Internet, që i furnizon qytetarët-përdorues me një faqe personale, ku mund të rifreskohet nëpërmjet mesazheve me një gjatësi jo më shumë se 140 shkronja. Rifreskimet e faqes personale mund të bëhen nga platformat e ndryshme teknologjike, që duhet të jenë të lidhura me internet (2.3 ose 4 G). Gjithsesi emri twitter vjen nga folja e gjuhës angleze “to tweet” që do të thotë në shqip “cicëroj”, “flas shpejt”, etj.
Megjithatë kjo hyrje sqaruese ishte e nevojshme për të shpjeguar sadopak mbi (sh)përdorimin që i bën përditë, kreu i Partisë Socialiste, këtij shërbimi falas për të komunikuar politikisht me qytetarët shqiptarë. Duhet thënë se Edi Rama ka ca kohë që përdor komunikimet të pazakonta politike, për t’u dalluar a “fiksuar” si një lider modern teknologjik. Synimi është ta veshë veten me rroba të reja, të pastra, të bukura për t’u martuar me votuesin.
Në këtë mënyrë kreu i organizatës së madhe politike, të njohur botërisht me siglën “PS”, po tenton të komunikojë direkt mendimin dhe komentin e tij me votuesit e mundshëm qytetarë, pa ndërmjetësimin e strukturave apo forumeve tradicionale politike partiake, të cilat ka kohë që janë nxjerrë jashtë loje. Sa efikase është kjo mënyrë do të shihet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Mirëpo brenda Partisë Socialiste jo të gjithë ndajnë mendimin se Rama duhet të komunikojë politikisht pa përthyerjen e përtypjen e programeve politike dhe ekonomike në strukturat bazë. Disa të përditshme nxorën dje ca biseda jo fort pozitive në Asamblenë e PS-së për statutin e ri dhe programin. Pëllumbi, Majko, Braçe pohuan kritika për organizimin e ri të PS-së në bazë dhe braktisjen e modelit të vjetër. Ai që kishte shfaqur hapur vërejtjet e tij për risitë që sjellin kryesisht ndryshimet në statut ka qenë ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, i cili duke iu referuar mënyrës së organizimit të PS-së në bazë, nuk ka ngurruar ta konsiderojë atë jo si një forcë e mirëfilltë politike, por si një OJF. Para do kohësh të njëjtën gjykim pati dhënë, nëse mbani mend, edhe Fatos Nano kur tha se PS-ja është një organizatë joqeveritare.
Cicërimet auto-referenciale të Egoarkut Rama, “Ne jemi me marksistët Obama, Merkel, Sarkozy e Cameron, madje edhe me marksistin Berlusconi”, dëftejnë pasiguri të mendimit. Sepse në radhë të parë Edi Rama kupton nga makro-ekonomia sa kupton një fëmijë i fillores për fizikën kuantike. Në radhë të dytë përvetësimi i pikave të intervistës së Ben Blushit dëften për shterpësinë e këshilltarëve të tij. Mbi taksën e sheshtë apo progresive mund të diskutohet fare mirë në Parlament, pa e (zh)vlerësuar paraprakisht si Botërore. Në radhë të tretë tentativa e Ramës për ta “shitur” prapë veten e tij, qoftë dhe me ironi a sarkazëm, në mesin e politikanëve të mëdhenj të botës, është më së paku jo serioze.
Sakaq cicërimat e pazakonta në rrjetin social twitter ngjajnë si akt-akuzë për mediet sepse  dëshira e Ramës lind nga nevoja që zëri i tij të përcillet në kohë reale, pa ndërmjetës gazetarë, pa rrezikun e shtrembërimeve apo manipulimeve, pa vonesa. Do të thotë shumë për nevojën e Ramës për të qenë protagonist i sinkronit, çka kuptohet më mirë dhe me falimentimin e fundit të disa gazetave të majta. Gjithashtu qëndrimet, cicërimet apo editorialet Ramës mund të përcillen në një konferencë për shtyp, dhe më pas u shpërndahen medieve elektronike, por si duket kanë hequr dorë nga konferencat për shkak të inflacionit të tepërt të tyre me akuza, që më pas dolën të ishin shpifje.
Sidoqoftë hyrja personale Ramës në luftë me editoriale dhe cicërima në twitter, për të shmangur pyetjet e gazetarëve, është sinjalizuese për mungesën e dialogut me Shqipërinë. Rama i ka përdorur të gjitha mënyrat për t’u fituar zemrën shqiptarëve, si me dialogun gju më gjumë më popullin duke gjezdisur nëpër fshatra, më pas tentativa për të kopjuar Obamën gjatë 2009, sipas këshillës së Erjon Velisë dështuan me sukses. Shqiptarët kanë kuptuar një gjë, që Rama mundohet ta fshehë, ai është i pasinqertë. Egoarku nuk i beson asgjëje që thotë apo bën, veçse inercia e etjes për pushtet e shtyn ta shpikë veten në çdo lloj mënyre.  Deklarata e paradokohshme e Ramës se “nuk jam politikan” është tashmë për shumëkënd është e qartë se ky është ndoshta i vetmi moment në të cilin ai ka qenë i sinqertë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›