Koalicioni i duhur
Gazetari Artan Mustafa komenton paralajmërimet për përfshirjen e AKR’së në koalicion me PDK dhe thotë se, bashkë me minoritetet, kjo formulë është më e përshtatshmja për rrethanat e krijuara pas zgjedhjeve.
Express: Si e shihni konfirmimin e PDK’së dhe AKR’së se do të punojnë për të formuar Qeverinë e re?
Mustafa: Koalicioni mes PDK’së, AKR’së dhe minoriteteve është opsioni më i mirë, bazuar në rrethanat e krijuara pas zgjedhjeve. Për nga programi dhe shkolla, AAK’ja nuk dallon shumë me PDK’në, por problemi i saj do të ishte justifikimi për të hyrë në Qeveri, pasi në vazhdimësi është shprehur kundër dhe ka bërë fushatë me atë premtim. Po ashtu, bashkimi i fuqisë politike në terren që kanë Thaçi dhe Haradinaj, do të ishte vërtet kundërbalancues. Megjithatë, zhvillime ende mund të ketë, ngase kjo deklaratë e parë gjithçka lë të hapur.
Express: Si do të duhej të dukej Qeveria e re?
Mustafa: Kam qenë skeptik sa i përket Pacollit dhe sidomos aktivitetit të tij “lobues” dhe joopozitar gjatë mandatit të kaluar. Ndoshta ka krijuar përvojë që kur hyri në politikë dhe marrëveshjet për koalicionin parazgjedhor me Çekun dhe të tjerët qenë të mira për të. Në Qeverinë e re, Thaçi dhe Pacolli duhet të kenë që të dy përgjegjësi ekzekutive për të udhëhequr një kabinet energjik dhe unik sikurse bënë paritë në Britani të Madhe, pas zgjedhjeve, ndonëse krahasimet individuale janë irelevante këtu. Pozita ideale për Pacollin do të ishte posti i Zëvendëskryeministrit dhe ndoshta edhe Ministrit për Tregti e Industri. Qeveria e re duhet të vazhdojë politikat në arsim dhe kërkon ministra të zotë të tregti/industrisë, ekonomisë dhe shëndetësisë, nëse ka synime të mëdha.
Express: A do të ketë një Qeveri e tillë problem me stabilitetin e vet?
Mustafa: Nuk do të thotë se partnerët e koalicionit duhet të kufizohen ekskluzivisht tek emrat nga radhët e veta. Vendimet e qeverive aktuale në SHBA dhe Francë për të emëruar sekretarët Gates, respektivisht Kouchner më herët, ishin mirëpritur gjerësisht. Një gjë e ngjashme mund të ndodhë, për shembull, me Bukoshin, Surroin ose liderët e FER’it, nëse ka vullnet. Kjo Qeveri do të jetë mjaftë unike, përballë një Parlamenti për herë të parë kontrollues. Jo vetëm që LDK’ja e AAK’ja do të jenë konkurrencë e fortë, por edhe vetë brenda opozitës do të ketë garë me Vetëvendosjen. Nëse ky gërshetim koncentrohet në zhvillimin ekonomik të vendit, mund të priten rezultate të mira.