Po shkon ngadalë
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka vazhduar rinumërimi i kutive të votimit, në të cilat auditimi i bërë nga QNR’ja ka nxjerrë parregullsi. Rinumërimi i 40 për qind të kutive të votimit ka filluar të shtunën, pas vendimit të KQZ’së.
Ndërkohë, raporti me rekomandime i paraparë të dërgohet të hënën në KQZ nga QNR’ja për procesin e deritashëm të rinumërimit të votave, është shtyrë për të martën.
Drejtuesit e KQZ’së theksojnë se procesi është duke rrjedhur normalisht, por pohojnë se procesi i rinumërimit të votave do të marrë një kohë të gjatë. Kryeshefi ekzekutiv i KQZ’së, Xhemajl Peçani, e ka arsyetuar këtë zgjatje të procesit të rinumërimit me faktin se aty bëhet verifikimi i formularit në mënyrë të detajuar, duke filluar nga të gjitha materialet në procesin e votimit.
“Me siguri, ky proces do të zgjasë, do të shkojë në mënyrë të ngadalshme, sepse është një proces që llogaritet për një kuti të votimit, i cili kur është numëruar në vendvotim ka zgjatur rreth 6 deri 7 orë dhe ky proces është duke zgjatur edhe tani”, ka thënë ai për Kosovapress.
Peçani mbetet i rezervuar sa i përket asaj se a mund të ndikojë në rezultat rinumërimi i 745 kutive të votimit, duke thënë se kjo do të shihet pas përfundimit të rinumërimit.
Por, ndërkohë, nuk mohon se mund të ketë edhe anulim të ndonjë kutie votimi, pas përfundimit të rinumërimit, i cili mund të zgjasë deri javën e ardhshme.
“Vetë procesi i rinumërimit nënkupton se mund të ketë vota që ka mospërputhje dhe të shohim se çka do të ndodhë dhe pastaj KQZ’ja do të marrë vendime konform ligjit dhe konform rregullave të KQZ-së, që kanë të bëjnë me procesin e vendvotimit dhe procesin e numërimit”, është shprehur Peçani.
Derisa të bëhet rinumërimi i 745 kutive të votimit, votat me kusht dhe ato me postë presin. Peçani ka thënë se procesi i numërimit të votave me kusht do të rrjedhë pas përfundimit të procesit të rinumërimit dhe bashkë me rezultatet e tjera do të bëhen publike edhe rezultatet e votave me kusht dhe atyre me postë, të cilat do të inkorporohen në rezultatin përfundimtar, i cili do të certifikohet pas përsëritjes së zgjedhjeve në Skenderaj, Drenas e Deçan dhe pjesërisht në Malishevë e Lipjan. Ndërkohë, Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, i ka thënë Radios Europa e Lirë se, në bazë të raportit të QNR’së, mund të ketë edhe anulime të vendvotimeve, po që se evidentohen parregullsi të mëdha.
-----
“KQZ po e legjitimon krimin”
Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se është i padrejtë vendimi i KQZ’së për të rinumëruar votat vetëm në 40 për qind të vendvotimeve, pasi që zgjedhjet e 12 dhjetorit nuk ishin as demokratike, e as të ndershme dhe rezultatet kanë qenë të bazuara në një mashtrim gjithëpërfshirës, sistematik dhe të organizuar.
Nëpërmjet një komunikate, Vetëvendosja ka vlerësuar se, në vend se të inicohet një hetim mbi votimin e shumëfishtë dhe mbushjen e kutive me vota të parapërgatitura, KQZ’ja po e legjitimon krimin duke e bërë rinumërimin e pjesshëm të kutive, shumë prej të cilave kanë qenë të hapura dhe kollaj mund të jenë mbushur edhe me fletëvotime jolegjitime gjatë bartjes.
“Ky vendim, si dhe vendimi që të mbahen rizgjedhje në vetëm 5 komuna të Kosovës, është i pjesshëm, me qëllim që të mbulohen dhe legjitimohen manipulimet në pjesë të tjera të Kosovës”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.