E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënimet alternative. Të dënuarit që mund të përfitojnë në të gjitha burgjet

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kriteret i përmbushin rreth 450 të dënuar.

Laureta Rryçi

Tiranë - Rreth 450 të dënuar pritet të lënë qelitë falë iniciativës më të re ligjore që është ndërmarrë, ajo e Shërbimit të Provës. Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pohuan dje për gazetën “Albania” se në ditët e para të muajit prill do të nisin aplikimet për të përfituar nga Shërbimi i Provës. Sipas tyre, të dënuarit mund të përfitojnë nga kjo nismë, pikësëpari kur t’i kenë plotësuar kriteret, dhe është e detyrueshme që të bëjnë aplikimin; në të kundërt, edhe pse i përmbushin kriteret, ata sërish nuk mund të përfitojnë nga kjo nismë. Specialistët shpjegojnë se nga shifra totale, 84 prej tyre janë gra të dënuara që mund të lënë qelitë. Ministria e Drejtësisë tashmë e ka zbardhur skemën se si do të zbatohen dënimet alternative. Projektligji i hartuar pak kohë më parë nga specialistët e kësaj ministrie i ka kaluar hallkat ligjore dhe në ditët e para të muajit prill nis zbatimin. Sipas këtyre specialistëve, organi shtetëror, që do të njihet me emrin Shërbim i Provës, do të menaxhojë gjithë këtë proces ligjor. Drejtuesit e këtij institucioni do të kenë për detyrë mbikëqyrjen e ekzekutimit të dënimit alternativ. Sipas statistikave, një i burgosur i kushton shtetit 55 857 lekë në muaj. Specialistët, me përllogaritjet e tyre, kanë thënë se në një vit nga dënimet alternative mund të përfitojnë rreth 450 persona.
Mekanizmi
Sipas specialistëve, mekanizmi mbi ekzekutimin e dënimeve alternative do të kalojë në një proces zinxhir, që nis me vendimin e gjykatës. Në ligj është përcaktuar që gjykata, para dhënies së një dënimi alternativ, duhet të kërkojë një raport paraprak nga shërbimi i provës. Ky raport duhet të identifikojë dënimin e duhur alternativ për personin, për riintegrim në shoqëri dhe parandalimin e kryerjes së veprave të tjera penale. Gjykata, kur të vendosë pezullimin e vendimit me burgim dhe zëvendësimin e tij me një dënim alternativ, duhet t’i dërgojë menjëherë prokurorit vendimin për ekzekutimin e këtij dënimi alternativ. Në qoftë se personi i dënuar është i burgosur, gjykata dërgon një kopje të vendimit në institucionin e ekzekutimeve të vendimeve penale, ku mbahet i dënuari për lirimin e tij. Kur gjykata vendos revokimin e dënimit alternativ, personi i dënuar dërgohet për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Gjykata merr vendim brenda shtatë ditësh nga data e marrjes së kërkesës së prokurorit dhe vendimi i njoftohet personit të dënuar, mbrojtësit të tij, shërbimit të provës dhe prokurorit.

Dënimi me punë

Ekzekutimi i vendimit me punë për interes publik mund të pezullohet për shkak të një sëmundjeje së papritur të personit të dënuar, që kërkon trajtim mjekësor dhe e pengon atë të kryejë punën që i është lënë me detyrim. Pezullohet në ato raste kur ka vdekje të një anëtari të familjes, si dhe për arsye të tjera të jashtëzakonshme. Në këto raste i dënuari duhet të paraqesë një kërkesë te Shërbimi i Provës. Më pas ky detyrim ndërpritet derisa gjykata të shprehet mbi kërkesën për pezullim. Në dispozitat e reja janë parashikuar dhe rastet kur mund të jepet gjysmë-liri dhe qëndrim në shtëpi. Në këto raste, pas vendimit të gjykatës, do të jetë Shërbimi i Provës që do të përcaktojë një program ditor që duhet të zbatojë personi i dënuar dhe do të mbikëqyret zbatimi i tij.

Institucioni më i ri, Shërbimi i Provës

Shërbimi i Provës është pjesë e Ministrisë së Drejtësisë, drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës dhe do të organizohet në nivel qendror dhe vendor. Drejtoria e Përgjithshme do të jetë në ministri dhe do të përbëjë nivelin qendror, ndërsa zyrat vendore do të veprojnë pranë gjykatave të rretheve gjyqësore. Rregullat e hollësishme që do të vënë në lëvizje këtë organ shtetëror do të mirëpërcaktohen me detaje në rregulloren e brendshme të Ministrisë së Drejtësisë. Në praktikën e vendeve të tjera, zbatimi i dënimeve alternative ka ndikuar në uljen e fenomenit të mbipopullimit nëpër burgje. Përsa i përket personelit të Shërbimit të Provës, ai do të organizohet në rangun e Drejtorisë së Përgjithshme, ku parashikohen drejtori i Përgjithshëm, 15 drejtorë rajonalë, 24 specialistë në rang kombëtar dhe 10 persona personel mbështetës.

Qendrat ku do të punësohen të miturit

Janë disa qendra të listuara deri tani nga UNICEF-i, me të cilat Gjykata e Tiranës ka filluar bashkëpunimin, si YAPPS, qendra “Don Bosko” etj., të cilët kanë paraqitur programet e punëve apo të kurseve profesionale që ata ofrojnë për këto lloj dënimesh, si dhe kapacitetet e pritjes së këtyre të dënuarve. Punët e ofruara dhe që kryhen nga të dënuarit janë në përputhje me zhvillimin e tyre psiko-social dhe janë sipas standardeve të vendosura si nga legjislacioni ynë i brendshëm, ashtu dhe nga ai ndërkombëtar për punën që mund të kryejnë të miturit. Numri i të miturve që kanë përfituar një dënim të tillë ka arritur deri tani në tetë dhe dënimi i parë me punë në shërbim të komunitetit është dhënë në shtator të 2007-s. Me aplikimin e këtij dënimi, sipas specialistëve, fiton i dënuarit pasi ka një mundësi më të madhe të integrimit. Gjithashtu fiton edhe sistemi i drejtësisë, sepse përveç që kushton më pak, është një drejtësi që është më e mirë për individët, me standarde shumë më të larta lidhur edhe me respektimin e të drejtave të njeriut.

Dënimet alternative për të miturit

1. Të marrë një arsim apo formim profesional

2. Riparim të dëmit të shkaktuar

3. Të mos frekuentojë vende të caktuara

4. Të qëndrojë në banesën e tij në orare të caktuara

5. Të mos shoqërohet me persona të caktuar, kryesisht me të dënuar apo bashkëpunëtorë të veprës penale

10 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›