Çashku përplaset me policinë, 2 orë në komisariat
Regjisori Kujtim Çashku ka dalë dje në mesditë nga Komisariati nr.4 në Tiranë ku qëndroi për rreth dy orë. Ai i ka bërë thirrje autoriteteve shtetërore të rrinë larg akademisë "Marubi". "I bëj thirrje autoriteteve dhe njerëzve që kanë mundësi të gjejnë formula që çojnë në shtensionime situatash dhe studentëve që të kenë përmbajtjen dhe qetësinë e duhur", u shpreh Çashku. Më pas, ai ka shpjeguar atë çfarë ndodhi sot në oborrin e ish-Kinostudios. "Në oborr po kryheshin dëmtime ndaj një investimi të kryer. Po dëmtohet kinoteatri, pemët që ndodhen atje, po dëmtohet dhe ekrani i madh ku ne do të fillonim festivalin. Gjithë kjo ndodh në momentin që studentët ishin në sezon provimesh", u shpreh ai. Më pas ai i ka drejtuar një thirrje qeverisë ku i kërkon të mbajë distancë nga institucionet e artit. "Mos dëmtoni një institucion të shenjtë siç është kjo akademi. Është pasuri publike, duhet ruajtur nga të gjithë", shprehet regjisori, ndërsa i drejtohet dy ministrave Ruli dhe Pango të mos bëjnë deklarata që tensionojnë situatën, por të gjejnë një zgjidhje për këtë problem. - Pas konfliktit të krijuar në akademinë ‘Marubi‘ ka reaguar edhe Avokati i Popullit dhe ambasada amerikane, e cila thotë se po ndjek me vëmendje zhvillimin. Ndërsa Avokati i Popullit shprehu mospajtim me veprimet e policisë ndaj studentëve dhe pedagogëve të shkollës "Marubi", të shoqërisë "Orafilm", me administrator kineastin Kujtim Çashku