E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, asfiksohet në krevat 73-vjeçarja e paralizuar

Flakët kanë përfshirë një pallat të ri në një nga lagjet më të populluara në kryeqytet. Është dashur ndërhyrja emergjente e zjarrfikësve dhe forcave speciale të policisë për të ulur panikun e banorëve. Gjithsesi, ngjarja nuk kaloi pa viktima. Pas shpërthimit të një bombole dhe faktit se ishte e paralizuar, një grua e moshuar Hasime Hoxha, 73 vjeçe ka humbur jetën nga asfiksia, në apartamenti ku jetonte. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e paradites së djeshme, në një apartament në katin e tretë të një pallati. Policia është njoftuar në orën 11:05, për atë që po ndodhte në rrugën "Margarita Tutulani", rreth 70 metra poshtë shkollës së mesme "Petro Nini Luarasi". Sipas policisë, rrjedhja e gazit dhe më pas shpërthimi i tij janë bërë shkak i një zjarri që ka përfshirë fillimisht dhomën ku rrinte e moshuara dhe më pas gjithë shtëpinë e saj. Policia është njoftuar nga fqinjët e së moshuarës, e cila ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Në operacion kanë marrë pjesë dhe forcat speciale RENEA, të cilat kanë evakuuar banorët e tjerë të pallatit, duke shpëtuar edhe fëmijë. Ndërkaq, gruaja kishte mbetur e bllokuar brenda në shtëpinë e saj. Policët dhe banorët e tjerë kanë gjuajtur me gurë dhe mjete të tjera xhamat, më qëllim që t‘i thyenin për të hyrë ajër brenda. Por pas gjithë këtyre dhe ndihmën e dhënë, e moshuara nuk ka mundur t‘i mbijetojë tymit mbytës. Zjarrfikësit, e kanë pasur shumë të vështirë që të futen në zonë ku kanë rënë flakët. Vargu i gjatë i makinave të parkuara dhe zona më lëvizje të shumtë, kanë bërë që të kërkohej ndihma e policisë rrugore që të hapej vendi për ta. Zjarrfikësve u janë bashkëngjitur edhe uniformat blu të Komisariatit Nr. 2. Lartësia e madhe dhe bllokimi i rrugës së zbritjes, ka bërë që RENEA, policia dhe zjarrfikësit të evakuonin banorët në mënyrat më të shpejtë dhe të sigurt. Por kur kanë arritur tek e moshuara, ajo kishte ndërruar jetë. Paniku dhe alarmi ka përfshirë dhe banorët e pallateve afër, të cilët kanë dhënë ndihmën e tyre në mënyra të ndryshme. Veç shtëpisë së viktimës, është dëmtuar dhe një apartament më lart, për shkak të nxehtësisë shkaktuar nga flakët e shumta. Burime zyrtare nga policia e Tiranës bënë të ditur se, nga hetimi paraprak rezulton se zjarri ka rënë në katin e tretë, në banesën e Hasime Hoxhës, 73 vjeç, e cila siç kanë deklaruar pjesëtarët e familjes së saj, ka qenë e paralizuar dhe se në momentin e rënies së zjarrit ka qenë e vetme në shtëpi. Sipas të njëjtave burime, mësohet se shkak i vdekjes ishte asfiksia. Nga rënia e zjarrit nuk ka njerëz të tjerë të dëmtuar apo të lënduar. Sipas hetimeve paraprake, shkaku i rënies së zjarrit mendohet të jetë shpërthimi i bombolës së gazit në banesën e lartpërmendur. Gjatë ditës së sotme pritet që të dalë dhe përgjigjja zyrtare e zjarrfikësve dhe të policisë, në lidhje me shkaqet e zjarrit dhe dëmet e tij. Zjarri dyshohet të ketë nisur në minibufenë që ndodhej në këtë apartament dhe mund të ketë ardhur për shkak të një shkëndije elektrike që mund të jetë shkaktuar nga soba. Në apartament është konstatuar edhe një bombol gazi 8 litërshe, e cila fatmirësisht nuk ka shpërthyer. Policia dhe një grup ekspertësh hetimorë kanë qëndruar disa orë në vendngjarje për të zbardhur shkaqet e zjarrit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›