E Diel, 1 Nëntor 2026

Skulptura kthen në Shqipëri Genti Tavanxhiun

Veprimtaria Simpoziume Ndërkombëtare Skulpture në Elbasan e Korçë

Skulptori shqiptar, Genti Tavanxhiu, do të jetë në Elbasan e Korçë në datat 25 deri më 5 korrik, pasi i është besuar detyra e drejtorit artistik për dy simpoziume skulpture, të cilat do të mbahen në këto qytete. Sipas lajmit, i cili bëhet i ditur nga mediat italiane, duke qenë se skulptori prej vitesh punon e jeton në Itali, për herë të parë Bashkia e Elbasanit organizon Simpoziumin Ndërkombëtar të Skulpturës, duke i besuar përzgjedhjen e artistëve dhe drejtimin artistik, skulptorit Genti Tavanxhiu. Organizatorët por edhe juria ndërkombëtare ka seleksionuar përmes internetit gjashtë projekte skulpturash, të cilat do të realizohen në parkun e qytetit. Artistët të cilët do të bëhen pjesë e kësaj veprimtarie në qytetin e Elbasanit vijnë nga Gjermania, Italia, Spanja, Portugalia e Britania e Madhe. Ndërkaq mësohet se edhe vetë Tavanxhiu do të jetë pjesë e kësaj veprimtaria si skulptor. Me këtë rast ai do të prezantojë veprën e titulluar “Zjarr i ri”, një risi për sa i përket impiantit, dinamizmit të formave, duke evokuar forcën e natyrës. Edhe në këtë vepër gjendet identiteti specifik i autorit, aftësitë për të sjellë gjithnjë diçka të re, duke përfshirë ngaherë elemente tipike të vendit të origjinës. Gjithnjë në datat 25 qershor deri më 5 korrik, Tavanxhiu do të jetë edhe në Korçë, në të cilin do të kryejë gjithashtu rolin e drejtorit artistik të Simpoziumit të Tretë Ndërkombëtar të Skulpturës. Me këtë rast do të bëhen pjesë e kësaj veprimtarie tetë projekte skulpture me artistë që vijnë nga Italia, Spanja, Siria, Gjeorgjia, Gjermania dhe nga Bolivia. Ata do të realizojnë veprat e tyre në ambient të hapur. Më pas ato do të vendosen në parkun e qytetit, njësoj si dhe veprat e tjera të simpoziumeve të mëparshme të skulpturës.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›