Dënimi i fushës, vendimi më 15 prill
Një vendim për sendet e hedhur në fushë në ndeshjen Shqipëri-Hungari, pritet të merret më 15 prill nga komisioni disiplinor i FIFA-s. Lajmi bëhet i ditur për “Panorama” nga burime pranë FSHF-së, që së fundmi kanë marrë kontakte zyrtare me institucionin më të lartë të futbollit. “Këtë herë, zor se shpëtojmë,”- tregojnë në federatë. Ka qenë vetë sekretari i përgjithshëm, Roland Mici, i cili pas ndeshjes me Hungarinë, ka thënë për gazetën, se pas asaj që ndodhi, nuk dihet çfarë pritet për Shqipërinë. Ky është një rast i përsëritur dhe që mund të dënohet rëndë, çka do t’i kushtonte shumë Federatës Shqiptare të Futbollit. Në këtë të fundit janë me dorën në zemër, duke shpresuar që vendimi të jetë sa më i ulët. Madje, arrihet deri në atë pikë, saqë thuhet se gjysma e së keqes do të ishte sikur të luanim pa spektatorë kundër Portugalisë, më 6 qershor në Tiranë. Kjo natyrisht do të ishte “krim” për tifozët shqiptarë, që këtë herë do të kishin mundësinë të ndiqnin “yjet” e kombëtares luzitane në “Qemal Stafa”. Por në rast të një vendimi të tillë, që cilësohet si gjysma e së keqes, është për faktin se shmanget ndeshja në fushë neutrale. Pezullimi i fushës do të ishte me pasoja shumë të mëdha për FSHF-në nga ana financiare. Vlera e një ndeshjeje të tillë kushton dyfish.