I bën makinën me pluhur, tenton ta vrasë
KURBIN - Tenton ta vrasë vetëm pse i bëri me pluhur makinën që sapo e kishte nxjerrë nga lavazhi. Ngjarja ndodhi në Mamurras, në lagjen “Drita”, rreth orës 19:10 të së enjtes dhe vijoi edhe mëngjesin e së premtes. Sipas policisë, 22-vjeçari Elton Mamli është konfliktuar në mbrëmje me 18-vjeçarin Bledar Thaçi, që të dy nga Mamurrasi. Nga hetimet e kryera rezultoi se, ndërsa Mamli kishte nxjerrë makinën e tij nga lavazhi, Thaçi kishte kaluar me shpejtësi me mjetin e tij e për pasojë kishte ngritur pluhur. Më pas 22-vjeçari e ka ndjekur Bledar Thaçin dhe pasi e ka ndaluar kanë nisur të debatojnë e të fyejnë njëri-tjetrin. Ai e ka kërcënuar adoleshentin se do ta vriste. Kaq ka mjaftuar që policia që ishte sinjalizuar në rrugë operative për ngjarjen dhe të mbante në survejim autorin Elton Mamli. Policia e Kurbinit bëri të ditur se ka parandaluar një vrasje. Kjo pasi i riu në orët e para të mëngjesit të djeshëm i është afruar i armatosur banesës së 18-vjeçarit. Por pasi ka pritur pak momente, ai ka qëlluar në drejtim të shtëpisë pa pritur derisa ndokush të dilte jashtë saj. Në këtë moment blutë kanë ndërhyrë duke arrestuar në kushtet e flagrancës Mamlin. Në vendin e ngjarjes u gjetën dy gëzhoja mod-56 e kalibrit 7.62 mm, si dhe automatikun me të cilin i riu qëlloi. Pas hetimeve të kryera rezultoi se sherri mes dy të rinjve kishte nisur për pluhurin që kishte ngritur mjeti i drejtuar nga viktima e mundshme. r.n