Dosjet e maxhorancës,Topi: Nuk ndërhyj te Prokuroria
ALFRED PEZA
Presidenti Topi mohon çdo ndërhyrje të tij në punët e Prokurorisë, lidhur me dosjet e disa zyrtarëve të lartë të maxhorancës. Në një intervistë për “Ora e Debatit” në Ora TV, kreu i shtetit flet edhe për marrëdhëniet me Kryeministrin, Kryetaren e Kuvendit dhe Kreun e PS-së.
Do të doja shumë të flisnim në këtë intervistë edhe për pjesën e politikës së brendshme. Ka pasur spekulime të shumta në media rreth raporteve tuaja me Kryeministrin, liderin e maxhorancës. Si janë marrëdhëniet tuaja në fakt, duke dashur ta dëgjojmë nga goja juaj?
Unë e kam thënë dhe herë tjetër që marrëdhëniet janë shumë institucionale dhe në këtë plan janë marrëdhënie korrekte. Dua ta përkufizoj këtu dhe besoj, me kaq, të gjithë ata që dëshirojnë të marrin informacion, le ta marrin atë.
Përveç atij takimi publik në Samitin e NATO-s, kur ka qenë hera e fundit që ju e keni takuar Kryeministrin Berisha në rrugë institucionale?
Unë nuk mundem tani të rikthehem në referenca ekzakte, por ne kemi pasur raste të takohemi dhe përderisa ju thashë që kemi marrëdhënie korrekte institucionale, pavarësisht ku janë bërë takimet dhe si janë zhvilluar, besoj që nuk ka vend për të fiksuar dhe takimet dhe kohën e takimeve.
Por, nga ana tjetër, mediat por dhe ambientet politike flasin dhe për një marrëdhënie të tendosur tuajën me Kryetaren e Parlamentit, zonjën Topalli. Si janë marrëdhëniet?
Unë ju siguroj që jam shumë korrekt në këto marrëdhënie dhe ky pozicion më shumë se çdo institucion tjetër të imponon që të kesh marrëdhënie shumë korrekte institucionale. Unë i qëndroj këtij pozicioni shumë korrekt dhe tentoj që çdo ditë të përsos marrëdhëniet ndërinstitucionale.
Po marrëdhëniet me liderin e partisë më të madhe të opozitës, zotin Edi Rama, si janë?
Besoj që kanë qenë marrëdhënie korrekte, gjithashtu të karakterit institucional.
Zoti Topi, një pyetje tjetër që lidhet në një farë mënyre me drejtësinë për raportet tuaja me Prokurorinë në përgjithësi dhe me Prokurorinë e Përgjithshme në veçanti. Ka pasur gjithmonë akuza politike të ardhura kryesisht nga maxhoranca, një prej të cilave lidhet me Kryeministrin e vendit, që ka thënë që po e përdorni Prokurorinë si një parti politike. Ju keni dhënë një përgjigje për këtë.
Nuk kam dëgjuar që të ketë një vlerësim të drejtpërdrejtë. Ndoshta një analizë mund të aludohet. Unë ju siguroj që qoftë në natyrën time, qoftë të Institucionit, deklaratat publike kanë qenë mjaft lakonike, por shumë të qarta që interesi më i madh i institucionit të Presidentit, është rritja e autonomisë, brenda raporteve ligjore të marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe absolutisht nuk ka pasur raporte të tjera. Do të vazhdoj të prononcohem në funksion të plotësimit të këtyre institucioneve, të punës që duhet të bëjnë prokurorët, Prokuroria e Përgjithshme dhe prokurorët e thjeshtë në funksion të realizimit të drejtësisë, të cilën ne e dëshirojmë të gjithë. Nuk mendoj që mund të ketë aludime rreth këtyre raporteve, sepse më shumë se çdo institucion tjetër, institucioni i Presidentit është shumë i monitoruar.
Ju pra nuk keni tentuar as direkt dhe as indirekt të influenconi në linjë institucionale ose jo, hetimin e çështjeve të tilla, në të cilat preket maxhoranca, siç është rruga Durrës-Kukës, çështja Fazlliç, apo çështja e Gërdecit.
Me gjithë respektin që kam, kur tentoni të bëni pyetje në të njëjtin sens bëni një gabim, sepse gjërat janë mëse të qarta. Mund t’ju siguroj se nuk ka pasur absolutisht asnjë lloj tendence. E rëndësishme është që drejtësia të lejohet që të punojë, por nga ana tjetër dhe vetë drejtësia duhet të punojë, detyrat janë të qarta, e përsëris, të forcojë integritetin moral dhe nga ana tjetër të rrisë profesionalizmin. Gjithçka tjetër duhet të bëhet brenda kornizave ligjore dhe eksperienca ka treguar dhe do të tregojë që ky institucion asnjëherë nuk do të interferojë në asnjë lloj çështjeje.
Këto janë çështje të vetme, të cilat ju i diskutoni me Prokuroren e Përgjithshme, zonjën Ina Rama?
Raportet midis institucioneve janë mjaft të përcaktuara në linjat e funksionimit ligjor. Përtej formatit ligjor, Presidenti, qoftë me Kryeprokuroren, qoftë me përfaqësues të ndonjë institucioni tjetër, nuk mund të bëjë asnjë bisedë tjetër. Në zyrë dhe jashtë zyre, në pozicionin tim jam jashtëzakonisht institucional dhe absolutisht nuk merrem me probleme të tjera, që nuk më takojnë mua të merrem.
Topalli: Do vazhdojmë të rrisim pagat
Kryetarja e Parlamentit tha dje gjatë një takimi në Peqin se maxhoranca do të vazhdojë të rrisë rrogat dhe pensionet, pavarësisht thirrjeve të opozitës për të mos i rritur ato. Topalli u shpreh se, “para pak ditësh Edi Rama tha se ju nuk guxoni të rrisni më rrogat dhe pensionet. I them nga Peqini se ne do të vazhdojmë të rrisim edhe rrogat, edhe pensionet. Kur Sali Berisha nënshkroi kontrata me një vlerë prej 3.4 miliardë euro, thanë fjalë goje”. Sipas saj, “kur unë kam hyrë në politikë, i gjithë buxheti ynë ishte vetëm 1 miliard dollarë. Dhe vetëm në tre muajt e fundit, Kryeministri Sali Berisha ka nënshkruar kontrata me një vlerë prej 3.4 miliardë dollarësh. Ky është një sukses i paparë, i paimagjinueshëm. Dhe në momentin kur Kryeministri i nënshkroi këto, Edi Rama i tha se unë nuk i njoh”.