Vlorë, nxënësi qëllon me thikë shokun e klasës
VLORE - Nxënësi i klasës së nëntë plagos me thikë moshatarin e tij. Ngjarja ndodhi dje në shkollën “Ismail Qemali” në Vlorë, kur dy 15–vjeçarët D.C. dhe F.R. janë konfliktuar mes tyre. Sipas policisë, ky i fundit është plagosur me thikë nga bashkëmoshatari i tij në pjesën e fytyrës dhe në dorë. Gjendja e tij është jashtë rrezikut, por fenomeni është tepër shqetësues. Mësohet se konflikti mes dy nxënësve ka nisur që në orën e parë të mësimit. Nxënësit kanë nisur të bisedojnë për një ekskursion jashtë Vlorës, ku kishin shkuar edhe klasat e tjera të nënta. Autori i plagosjes D.C., ka akuzuar shokun e tij F.R., si shkaktar të mosrealizimit deri më tani të këtij ekskursioni të planifikuar disa kohë më parë. Ndërkohë që klasat e tjera e kishin përfunduar këtë ekskursion, ata nuk kishin mundur të organizoheshin. Pasi ka përfunduar mësimi, në pushimin e madh, në ambientet jashtë shkolle ka nisur debati sërish. D.C. ka nxjerrë një thikë (biçak) dhe ka qëlluar shokun e klasës. Pas krimit ai është larguar me vrap dhe është rikthyer në mësim për të vijuar orët e tjera. Ndërsa 15-vjeçari është dërguar në spital nga disa kalimtarë, të cilët e kanë parë atë të gjakosur, policia mbërriti në shkollë dhe mori në pyetje nxënësin në praninë e mësuesit. Mësohet se ndaj tij është vendosur vetëm një masë vërejtjeje në shkollë. q.b