E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr dhe sevda në oborrin e Edi Ramës

Sevdaja e Edi Ramës për Erion Velinë dhe Skënder Gjinushin ka irritur shumë veta tek oborri i së majtës, të cilët në lojën e re verore “ngriva-shkriva”, kanë marrë përsipër të luajnë rolin e sherrxhiut. Gramoz Ruçi ka kuptuar se po i nënshtrohet rrokadës me kreun e PSD-së, ndërkohë që Paskal Milo ka marrë vesh se do të lihet krejtësisht jashtë. Bashkimi i partive është një version minamalist i historive të shkuara të Enver Hoxhës me Titon për krijimin e federatës ballkanike, por këtë herë, interesat filosllave shpresohet t’i delegohen ekskluzivisht Edvinit

Afrimi i zhegut të verës nuk i ka ndalur siujdhesat e shqetësimëve politike që shqetësojnë oborrin politik të Edi Ramës. Të hutuar nga paqendrueshmëria e fortë e kryetarit të partisë si dhe nga pabesia që ai shfaqi në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, krerët e partive aleate s’po munden dot të përfshihen sa dhe si duhen në lojën “ngriva-shkriva” që ka shpërthyer, qëkur Edi Rama dhe Erion Veliaj kanë shpallur dashurinë e tyre (politike) të pakushtëzuar. Qe thënë në fillim se sevdaja e dy politikanëve do të formalizohej nga fundi i qershorit, por të dyja palët e kanë shtyrë për pak kohë. Gojët e liga thonë se s’ka ndonjë krizë dhe se sevdaja vijon të jetë e pakushtëzuar, por të dyja palët do të dëshironin një atmosferë më holandeze për shkrirjen e tyre, prandaj edhe po presin se a mos i ndrin ylli në botërorin e futbollit edhe kombëtares holandeze; kështu që bëhej një rrugë e dy punë - edhe bashkimi, edhe ngritja në ikonë e dyshes holandeze.
Por kjo sevda s’shihet me sy të mirë, as brenda partisë, e as në radhët e koalicionit. Parulla e dikurshme komuniste “një bie, mijëra ngrihen” është zëvendësuar korridoreve nga shprehja kuptimplote “një vjen, disa detyrohen të ikin”, shprehje që merr kuptim edhe nga numri i madh i grupeve armiqësore në PS që ka “zbuluar” Edi Rama, qëkur e mori partinë në vjeshtën e 2005-s. Ardhja e Erion Velisë dhe katapultimi i tij në postin e sekretarit politik nuk përtypet mirë nga brezi i të rinjve që po mbesin tek paradhoma e kryetarit që banon në Pezë, gjatë këtyre ditëve të zhegut, kur atë e zuri edhe sindroma e plakjes, meqenëse dje pat edhe kremtimin e “vjeshtës” së 46-të. I pasigurtë po ndihet edhe Gramoz Ruçi, nga sevdaja e re dhe e pashpresuar që Edi Rama ka nxënë me Skënder Gjinushin. Të mirëinformuarit e oborrit socialist thonë se Edi Rama s’pushon së deklaruari në Pezë “më mirë Gjinushi se Ruçi”. Në një shkrirje të madhe, Gjinushi mund të katapultohej në postin e sekretarit të përgjithëm dhe kjo ambicie e Kënos, i ka shkuar në vesh edhe ministrit të fundit të Sigurimit të Shtetit, i cili, pas çdo seance parlamentare, kur i duhet të shqiptojë gëlbazat politike të Edvinit, del në holl e flet me vete, se s’do ta lejojë Skënderin t’i privatizojë oborrin e parlamentit.
Sevdaja për Erion Velinë dhe Skënder Gjinushin ka irritur shumë veta tek oborri i së majtës, të cilët në lojën e re verore “ngriva-shkriva”, kanë marrë përsipër të luajnë rolin e sherrxhiut. Kreu i PDS-së Paskal Milo, i cili në lojën e detyruar të koalicionit, që ka qenë i detyruar të luajë me PS-në, rregullisht ka dalë i humbur, sërish dje protestoi se Edi Rama po deklaronte hapur “sevdanë” për Erion Velinë (Skënder Gjinushi nënkuptohet kudo në ligjëratën e Paskalit), pa i deklaruar ndjenjat që ai ushqente për të. Sipas kreut të grupimit që Miloja e quan Partia Demokracia Sociale, “lëvizjet e Ramës janë të momentit, por ato nuk përfaqësojnë politikën e vërtetë të opozitës”. Por marazi i flet Milos para politikës, prandaj ai s’mungon të luajë lajmësin e fatit të keq, se me shkrirjen e G99-s me PS (lexo edhe e PSD-së, pak më vonë), opozita do vazhdojë të humbasë akoma edhe më shumë vota. “Shkrirja e partive të opozitës, nuk ndihmon të majtën apo opozitën, sepse ul numrin e aktorëve politikë gjatë fushatës elektorale, prandaj si rrjedhojë, PS nuk i intereson të ketë shkrirje të partive të ndryshme të së majtës shqiptare, në një formacion politik. Mendoj se duhet të shkojmë drejt një grupimi më të gjerë” - u shpreh Milo, i cili duket se pëlqen më shumë poligaminë, meqë po të ishte puna për monogami (politike), Erion Veliaj duket se ka përparësi, dhe i dyti është rreshtuar matematikisht Gjinushi. “Opozita vazhdon të jetë e paqartë për zhvillimet e saj në prag të procesit elektoral, vijon Milo, intervistën e vet prej Kasandre. Vendimet e PS-së po u referohen zhvillimeve të ditës, por ajo duhet të konsultohet me opozitën, për të bërë veprime të matura dhe afatgjata, e të mos i nënshtrohet veç politikës së ditës”
Sevdaja dhe sherri janë dy ingredientë që e kanë shoqëruar vazhdimisht historinë e së majtës shqiptare dhe çiftet “Enver Hoxha-Ramiz Alia”, “Nexhmije Hoxha - Dushan Mugosha” e “Nexhmije Hoxha - Ramiz Alia”, janë ana e sevdasë në vitet e politikës, prej të cilave rrodhën edhe numri i pafund i sherreve e grupeve armiqësore, të cilat s’është rasti t’i numërojmë.
Por duhet pranuar, se Edi Rama po shfaqet një lojtar gati instinktiv i përdorimit të këtyre dy ingredientëve. Afrimi i një grupi të rinjsh dhe mënjanimi i papritur - aq sa s’po merret vesh se kur Damian Gjiknuri ishte beniamin, aq shpejt po përgatitet shpallja e tij si tradhtar – tregojnë se Edvini e mbyll shumë shpejt ciklin e përdorimit. Gjithsesi kjo verë parashikohet e nxehtë, pasi është vera e lojës “ngriva-shkriva”, pra e lojës së “bashkimit” të të gjitha partive të majta në një parti të vetme. është një version minamalist i historive të shkuara të Enver Hoxhës me Titon për krijimin e federatës ballkanike, por këtë herë, interesat filosllave shpresohet t’i delegohen ekskluzivisht Edvinit. Por beteja është për radhën e krushqve, dhe kjo verë, tek e majta, mund të jetë gjithçka, veç monotone jo.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›