PD: Klubi i bllokmenëve të PS, fushatë kundër rritjes së pensioneve
Partia Demokratike ka reaguar dje ndaj akuzave të PS-së se, Qeveria ka marrë rreth 70% të kursimeve të qytetarëve shqiptarë për t’ua shpërndarë atë pensionistëve në formën e rritjes së pensioneve. Në një komunikim me mediat zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli, tha se fondi për rritjen e pensioneve nuk është marrë nga asnjë kredi nga Qeveria shqiptare. “Të ngrihesh sot kundra rritjes së pensioneve dëshmon se i përmbahesh pasionit të etërve tuaj për t’i parë të varfrit gjithnjë e më të varfër në një kohë që vetë jeton në parajsën e ndërtuar mbi mjerimin e të tjerëve. Të pretendosh se pensionet po rriten duke marrë 70% të kursimeve të shqiptarëve do të thotë të mashtrosh pa u skuqur 70 herë shqiptarët, pasi asnjë qindarkë nuk është marrë e nuk merret nga cilado qoftë kredi për rritje rrogash e pensionesh nga Qeveria aktuale”, tha Mëhilli. Në emër të Partisë Demokratike ajo akuzoi opozitën se ka ndërmarrë një fushatë të egër kundër rritjes së pensioneve. “Këto ditë Edvin Rama dhe klubi i milionerëve bllokmenë të rinj ka ndërmarrë një fushatë të egër kundra rritjes së pensioneve, duke e paraqitur këtë rritje si një katastrofë ekonomike. PD denoncon këtë pashpirtësi të Ramës dhe kupolës së milionerëve që drejton sot PS-në, si dëshmi e trashëgimisë historike e biologjike dhe shpirtkazmërisë së tyre. Të ngrihesh sot kundra rritjes së pensioneve do të thotë të heqësh çdo maskë dhe të nxjerrësh fytyrën e vërtetë çnjerëzore para 520 mijë pensionistëve shqiptarë, të cilët dolën nga regjimi i etërve tuaj më skllevër se çdo qytetar tjetër në planet”, tha Mëhilli.