E Diel, 1 Nëntor 2026

Dënimi me 2 vjet për vrasje, kontroll dosjes së djalit të Luiza Xhuvanit

SHKRUAN: Leonard Bakillari 24-11-2011 14:57

Pas vendimit minimal, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, ka urdhëruar inspektim në Prokurorinë dhe Gjykatën e Tiranës për dosjen e Kostandin Xhuvanit dhe Albi Zelës. Rezultatet e kontrollit, në prokurori dhe KLD

Tiranë Dënimi me 2 vjet burg i Kostandin Xhuvanit, djalit të deputetes socialiste Luiza Xhuvani, nuk ka kaluar pa u vënë re nga Ministria e Drejtësisë. Ministri Eduard Halimi ka urdhëruar dje një inspektim urgjent për dosjen penale të Kostandin Xhuvanit, pas vendimit të Gjykatës së Tiranës që i dha atij dënimin minimal për vrasjen e shokut të tij Alfred Musabelliu. Sipas një njoftimi zyrtar të shpërndarë nga Ministria e Drejtësisë, inspektimi në fjalë ka si qëllim të kontrollojë ecurinë e politikës penale në veçanti dhe politikës së dënimit të ndjekur nga organi i prokurorisë në rastin e të pandehurve Kostandin Xhuvani dhe Albi Zela. Sipas njoftimit, bëhet me dije se “Ministri i Drejtësisë, z.Eduard Halimi ka urdhëruar inspektimin urgjent dhe kontrollin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Penal Tiranë, lidhur me procedimin penal nr.597 i vitit 2011 ndaj të pandehurve Kostandin Xhuvani dhe Albi Zela”. Në urdhrin nr.8126 të datës 23.11.2011, bazuar në nenin nenit 102, të Kushtetutës; ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe të nenin 56 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka urdhëruar ushtrimin e inspektimit në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë mbi ecurinë e politikës penale në veçanti dhe politikës së dënimit të ndjekur nga organi i prokurorisë në rastin konkret. “Ushtrim i inspektimit për kontrollin e ligjshmërisë do të kryhet edhe në Gjykatën e Tiranës, me qëllim verifikimin e çdo veprimi procedural nga depozitimi dhe dhënia e vendimit përfundimtar. Ministria e Drejtësisë konkluzionet, pas përfundimit të kontrollit, do t’ia njoftojë Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Presidentit të Republikës”- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë. Urdhri për inspektimin e kësaj dosjeje penale erdhi pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila dënoi me 2 vjet heqje lire Kostandin Xhuvanin, djalin e deputetes socialiste Luiza Xhuvani. Pak ditë më parë, gjykata shpalli fajtor dhe dënoi me 2 vjet burg Kostandin Xhuvanin, i akuzuar për akuzën e “vrasjes së kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”. Gjithashtu Xhuvani u shpall fajtor edhe për akuzën e “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe u dënua me 1 vit burgim. Në bashkim të dënimeve, të pandehurit Kostandin Xhuvani Gjykata i caktoi dënimin me 3 vjet burg, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar u ul në dy vjet heqje lirie. Kostandin Xhuvani u akuzua nga prokuroria për vrasjen e shokut të tij Alfred Musabelliu, ngjarje kjo e ndodhur në shkurt të këtij viti, pas një sherri mes tyre. I riu u vetëdorëzua pas disa muajsh arrati, ndërkohë që prokuroria e konsideroi vrasjen e ndodhur si të kryer në kushtet e vetëmbrojtjes, duke minimizuar në dy vjet dënimin që duhet të vuajë Kostandin Xhuvani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›