E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutohet me 20 plumba 34-vjeçari, në kërkim kushëriri

Kastriot Brozi është vrarë pas një prite në oborrin e banesës së tij nga një 20-vjeçar, që policia e ka identifikuar si Elton Kola. Dyshohet një sherr mes të rinjve dhe një konflikt pronësie

Një 34-vjeçar është vrarë dje në hyrje të oborrit të shtëpisë së tij në fshatin Skuraj të rrethit të Kurbinit, pas një konflikti, që sipas policisë mund të ketë motiv pronën ose një grindje të ndodhur dje më herët mes tij dhe autorit. Kastriot Brozi është goditur me 20 plumba kallashnikovi, ndërsa policia ka shpallur në kërkim për vrasjen 20-vjeçarin Elton Kola.

Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se viktima po kthehej nga puna, pasi kishte qenë në mal duke prerë dru për ngrohje. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se ai ka qenë i vetëm në momentin e krimit dhe sapo është futur në oborrin e banesës së tij, vetëm katër metra lag shtëpisë është qëlluar me breshëri automatike që i kanë shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Vrasja ka ndodhur në orën 18:00 të ditës së djeshme. Ndërsa nga banesa kanë dalë të trembur familjarët e tij, që nuk kanë mundur ta ndihmojnë të afërmin e tyre. Autori i krimit ka mundur të largohet menjëherë nga vendi i ngjarjes, pasi ka përfituar nga errësira.

Ndërsa familjarët kanë njoftuar policinë e Kurbinit, e cila ka mbërritur shumë shpejt në vendin e ngjarjes, duke nisur edhe hetimet për vrasjen. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Kurbinit mësohet se autori i vrasjes është një kushëri i viktimës, Elton Kola 20 vjeç, i cili banon në të njëjtin fshat, shumë afër me banesën e viktimës. Policia edhe pse ka ngritur postblloqe në të gjitha hyrjet dhe daljet e fshatit Skuraj, nuk ka mundur të arrestojë autorin, i cili duke qenë errësirë dhe duke njohur mjaft mirë zonën, duket ia ka dalë të arratiset pa rënë në pengesat e policisë.

Sipas burimeve zyrtare të policisë së Kurbinit mësohet se dy janë pistat që po hetohen për motivet e ngjarjes. E parë është një konflikt, që hamendësohet se ka ndodhur mes të rinjve në mal kur prisnin dru. Kjo ngjarje mendohet se ka ndodhur dje, por që pritet të zbardhet pas arrestimit të Kolës, i cili është shpallur në kërkim. Pista e dytë që po hetohet është ajo e një konflikti pronësie, që një kushëri i viktimës ka me të atin e autorit. Sipas policisë, i ati i viktimës ka mbajtur në shtëpi kushëririn e tij, i cili ka qenë në konflikt me babanë e Elton Kolës. Policia ka kryer edhe ekspertizën e vendit të ngjarjes dhe sipas saj, mbi 20 fishekë janë derdhur mbi 34- vjeçarin. Sipas burimeve zyrtare të policisë mësohet se Kastriot Brozi ishte i pamartuar dhe se nuk ka pasur më herët probleme me ligjin dhe cilësohej nga blutë si njeri jo problematik. Ndërsa ka qenë djali i vetëm i familjes Brozi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›