E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filmimi i aksidentit fatal liron Ledio Ruçin, burg të plagosurit

Gjykata e Tiranës ka liruar djalin e deputetit Gramoz Ruçi, ndërsa ka shpallur përgjegjës për aksidentin, ku humbi jetën Brunilda Pinderi, mikun e saj Eduart Lika

Tiranë Gjykata e Tiranës liron nga qelia Ledian Ruçin dhe lë në burg drejtuesin e “Mini Cooper”-it, Eduart Lika, për aksidentin e ndodhur mbrëmjen e së dielës në Rrugën e Elbasanit. Edhe pse i ndaluar nga policia dy ditë pas aksidentit, ditën e djeshme përfaqësuesi i akuzës nuk kërkoi asnjë masë sigurimi ndaj Ruçit, i cili rifitoi lirinë. Gjykata ka lënë në burg pa afat Eduart Likën, drejtues i automjetit ku ndodhej edhe vajza, e cila më pas humbi jetën në spital. Me kërkesë të prokurorisë, gjyqtari i gatshëm ka zhvilluar në ambientet e Spitalit Ushtarak seancën për caktimin e masave te sigurisë ndaj Eduart Likës, drejtuesi i mjetit tip “Mini Cooper” ku udhëtonte edhe vajza, e cila më pas humbi jetën. Për këtë shtetas organi i akuzës ka kërkuar nga gjykata caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen. Sipas hetimeve të pra dhe ekspertizës së policisë, rezulton se Lika duke drejtuar automjetin tip “Mini Cooper” ka ndërprerë në mënyrë të gabuar drejtimin e lëvizjes së automjetit tip “BMW X6”, e drejtuar nga djali i deputetit socialist Gramoz Ruçi. Sipas prokurorisë, automjeti tip “BMW” ka pasur të drejtën e kalimit sipas semaforit që ndodhet në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit, por drejtimi i tij është prerë nga automjeti i drejtuar nga Lika, ku ndodhej edhe Brunilda Pinderi, e cila humbi jetën një ditë më pas në spital. Hetimi i prokurorisë është ndihmuar edhe nga kamerat e sigurisë së një agjencie valutore, e cila ndodhet fare pranë vendit të aksidentit. Hetuesit, pasi kanë sekuestruar CD-në e regjistrimit, kanë parë se kamerat e sigurisë kanë filmuar gjithë skenën e aksidentit të rëndë. Sipas burimeve, mësohet se në pamjet filmike shfaqet automjeti tip “Mini Cooper” i cili i pret rrugën makinës së drejtuar nga Ruçi, duke u futur në semafor, pavarësisht se ndalohej kalimi. Pamjet filmike, por edhe ekspertiza, tregon se Ruçi ka qenë relativisht me shpejtësi të lartë, por në momentin e aksidentit ai ka pasur të drejtën e kalimit nga semafori i vendosur në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit. Bazuar në hetimet e para dhe akt-ekspertimin e policisë rrugore, prokuroria kërkoi masën shtrënguese të sigurisë ndaj Eduart Likës, i cili ndodhet në Spitalin Ushtarak nën kujdesin e mjekëve. Kjo kërkesë është pranuar nga gjykata, e cila vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Likës.

Sipas burimeve pranë grupit hetimor, mësohet se deri tani nuk ka asnjë të dhënë që mund të implikojë Ledian Ruçin si fajtor në aksident dhe për këtë arsye organi i akuzës nuk ka kërkuar caktim mase ndaj tij. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›