E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denis Hasa - Duet me Myfarete Lazen për t’i kënduar pasionit tonë të përbashkët



klotilda harka

Së bashku në një këngë pasioni për muzikën e vërtetë, atë që lind prej notave mbi pentagram dhe shpërthen në një harmoni që të prek. Myfarete Laze dhe këngëtari i ri Denis Hasa kanë rrezikuar me baladë për konkurimin e tyre në festivalin e muzikës moderne “Top Fest 7”. Por çfarë i shtyu të bënin duet si këngëtarë të brezave të ndryshëm, e veçanta e këtij konkurrimi dhe ambicia për çmim. Denis Hasa tregon si lindi bashkëpunimi dhe balancat që ai ka gjetur në jetën e tij mes martesës dhe muzikës jo komerciale
Denis, konkuroni në “Top Fest 7” në duet me Myfarete Lazen. Si lindi ky bashkëpunim, që ndoshta nuk ishte imagjinuar nga publiku?
Kompozitori Lambert Jorganxhi kishte menduar këtë duet, por nuk e kishte vendosur ende zërin femëror që mund të më shoqëronte. Pasi më tha se bëhej fjalë për Myfareten, sigurisht kënaqësia që ndjeva ishte e madhe dhe falënderoj akoma që e solli kaq pranë meje. Ndihemi shumë mirë së bashku, jemi bërë madje miq dhe kjo është gjëja më e bukur që mund të lindte nga ky bashkëpunim. Mendoj se nuk do të jetë hera e vetme që do të na sjellë në skenë të dyve.
Ekzistoi dilema nëse do kishte qenë më mirë një duet me këngëtare të brezit të ri?
Jo, sepse pikësynimi ishte të gjëja një këngëtare të mirëfilltë, që e dashuron këngën sikurse unë, që njeh notat mbi pentagram sikurse unë, që e njeh harmoninë muzikore ashtu si unë...dhe të them të drejtën këto nuk janë veti që mund t’i gjejmë kudo. Janë të rrallë artistët si Myfarete Laze, një nga ikonat e muzikës shqiptare. Bashkëpunimi me një këngëtare të brezit të ri nuk do të sillte asgjë interesante.
Kënga titullohet “Më jep jetë”, është kjo një këngë e vërtetë pasioni?
Autorësia e vargjeve i përket një nga penave më të arta të letërsisë shqiptare, Zhuljana Jorganxhi. Në fakt dashurisë i është kënduar më shumë se ç’duhet, ndarjes apo temave të ndryshme sociale gjithashtu, ndaj ne menduam që t’i këndonim dashurisë, por asaj që unë dhe Myfaretja ndajmë për këngën. Muzika është ajo që na mban gjallë dhe menduam se t’i dedikonim një këngë pasionit tonë, do të ishte zgjedhja e duhur. Ndaj sigurisht që ka të bëjë me një histori reale. Eshtë sikur brezi i saj i lë stafetën brezit të ri, që ky i fundit të kujdeset me shumë dashuri për këngën sikurse prindi për fëmijën. Myfaretja ka një jetë të tërë që këndon skenave më prestigjoze, unë nga ana tjetër kam një jetë të tërë që këndoj kudo, përveç skenave...(qesh), sepse për herë të parë në skenë jam ngjitur në vitin 2006.
Sapo keni konkuruar si gjysmë finalistë, cilin prej çmimeve synoni në finale?
Të kënduarit “live” sigurisht që sjell emocione, por edhe shumë kënaqësi në këtë gjysmëfinale. Ne ndjehemi mirë me këngën, ajo është pjekur dhe ne luajmë me të tashmen. E sjellim në forma të ndryshme sa herë e këndojmë. Kënga ka pasur impakt shumë pozitiv, është pritur tejet mirë nga të gjitha grup moshat. Ky është një çmim, të cilin ne e kemi marrë edhe pse finalja nuk është organizuar ende. Kemi rrezikuar të marrim pjesë me një baladë në një festival të muzikës moderne, ndaj mendoj se jemi të kufizuar nënominimet e çmimeve. “Best song”, ose pse jo çmimi i madh do të ishin dy mundësi vlerësimi për këngën tonë.
Në këto katër vite, nga dalja juaj e parë në skenë, ç’mënyra keni zgjedhur për të spikatur?
Në këto vite unë kam realizuar disa këngë si; “Engjëlli im”, “Natë perfekte”, “Keq më ndëshkove”, që gjendet edhe në youtube dhe është vlerësuar me çmim në Festivalin e “ZICO TV” në Prishtinë. “Sikur të isha bankë” do të dalë së shpejti në treg së bashku me dy këngë të reja që jam duke i punuar, që do t’i publikoj si videoklipe. Eshtë e rrezikshme, për karrierën time muzika, të cilën unë mbroj në skenë, kur dëgjon rrymat e reja komerciale që të zënë frymën, por është shumë e vështirë të dalësh nga vetja, ndaj parapëlqej rrezikun. Thonë se vokali im ka sjellë risi me timbrin e ngrohtë...ky është mendimi i kritikëve të artit dhe unë ndjehem i lumtur për këtë fakt.
Flisni shumë për muzikën e vërtetë, çfarë mendoni se nuk shkon sot në këtë treg?
Problemi i muzikës së sotme është sepse kënga është kthyer në biznes. Nuk ka rëndësi si, ku apo në çfarë kushtesh realizohet ajo, rëndësi ka të fitohet dhe për mua ky është abuzim i pa tolerueshëm. Nëse do të isha në vendin e duhur dhe me pushtetin e duhur, do të kisha censuruar të paktën tetëdhjetë për qind të këngëve, që kanë mbushur tregun muzikor aktual.
Jeta që bëni jashtë skenës është e një djali beqar apo të martuar?
Unë kam një jetë të ngarkuar, por të thjeshtë. Jetoj në Tiranë dhe punoj në një firmë private franceze, pasi jam edhe nënshtetas francez. Të premteve organizoj karaoke dhe të shtunave këndoj “live”. Frekuentoj jetën e natës dhe mundohem t’i marr jetës kënaqësitë, pa të cilat do të dukej boshe. Kaloj kohë me miqtë e mi, por jam shumë i përkushtuar ndaj familjes sime të vogël sepse është gjëja më e shtrenjtë, që kam ndaj investoj çdo ditë për të.
Dhe cila është familja juaj?
është bashkëshortja ime me të cilën kemi 4 vjet e gjysmë që njihemi, sapo u riktheva në Shqipëri në 2006-ën. Kjo bëri që të mos mundja të përfitoja nga fama ime, por të mendoja si ta bëja për vete e të krijoja një familje me të. U martuam para një viti e gjysmë, dhe me kënaqësinë më të madhe them se bashkëshortja ime nuk i përket asnjërës prej fushave të artit. Jemi shumë të lidhur dhe transparentë me njëri-tjetrin, nuk ekzistojnë kode bankare apo fjalëkalime në internet individuale. Bëjmë çdo gjë bashkë dhe nuk ndahemi kurrë. Si rrjedhojë e kësaj harmonie kemi një djalë ende të vogël, Loic i cili edhe pak ditë mbush 18 muaj.
Flisni për një martesë të lumtur, po a është martesa në favor të suksesit që synoni?
Edhe pse i dashuruar marrëzisht pas muzikës, edhe pse i kam dedikuar shumë vite të jetës time, shkollimit muzikor, mendoj se familja kalon përtej pasionit apo egoizmit, ajo është primare. Duhet të dish t’u japësh prioritet gjërave dhe të mund t’i koordinosh ato. Që në momentin që ne zgjodhëm njëri-tjetrin për të hedhur një hap kaq të rëndësishëm, unë i premtova se ajo do të ishte kudo me mua, koncerte, plate televizive, studio, dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Ndaj në rastin tim martesa është në favor të karrierës sepse duke qenë të sferave të ndryshme ekziston me nesh, mirëkuptimi dhe mbi të gjitha mirëbesimi.
Duket se karriera juaj deri tani ka ecur ngadalë, keni menduar t’i shtoni ritmet?
Në fakt po, karriera ime ka ecur ngadalë, por mendoj të kem bërë hapa të sigurt dhe për më tepër mendoj se përderisa ajo ecën përpara, nuk ka rëndësi ritmi që ajo ndjek. Kam pranuar disa ftesa për koncerte dhe po ashtu mendoj të jem pjesë e konkurseve muzikore të fund vitit. Do të vazhdoj të këndoj “live”, sepse ndjehem komod kur jam pranë publikut jo vetëm me imazhin por edhe me zërin tim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›