Atentati, qëllohet me armë truproja e biznesmenit
Etleva Delia
Policia e Tiranës ka ngritur pistat e para hetimore mbi ngjarjen ku mbeti i plagosur ish-bodigardi i një subjekti privat, Arben Bilali, njëherësh ish-oficer policie. Ai u qëllua dy herë me armë zjarri teksa ndodhej në një lokal pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë, mbrëmjen e të shtunës. Dyshimet e hetuesve lidhen kryesisht për një konflikt pronësie në zonën e Selitës, ku banonte 42-vjeçari Arben Bilali. Sipas policisë, në lidhje me ngjarjen, nuk përjashtohen dyshimet për konflikte apo mosmarrëveshje tek subjekti privat si bodigard dhe me punën e bashkëshortes, e cila është punonjëse policie në Komisariatin nr.2 të kryeqytetit. Deri tani në polici janë shoqëruar dhjetëra persona si dëshmitarë dhe të dyshuar, por ende nuk është identifikuar autori i atentatit të së shtunës ndaj Arben Bilalit. Policia ka ngritur postblloqe në të gjitha pikat hyrëse dhe dalëse nga kryeqyteti, ka kryer disa kontrolle banesash, por asnjë prej dëshmitarëve të pyetur nuk ka qenë në gjendje të identifikojë autorin. Sipas deklarimeve që ata kanë dhënë në polici, ngjarja ka ndodhur brenda pak minutave dhe për këtë shkak, askush nuk ka mundur të shikojë fytyrën e autorit, i cili mbante një kapele, për të fiksuar ndonjë detaj që mund ta ndihmonte policinë. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30, në një lokal pranë stadiumit “Dinamo”, ku ndodhej Arben Bilali duke pirë kafe bashkë me një mikun e tij. Autori është futur në lokal dhe është drejtuar menjëherë tek tavolina ku ndodhej i ulur 42-vjeçari, duke e qëlluar 2 herë në kraharor, me qëllim vrasjen e tij. Të paktën edhe nga policia ngjarja është klasifikuar si “vrasje e mbetur në tentativë”, pasi edhe gjendja shëndetësore e të plagosurit është mjaft e rëndë dhe ai ndodhet në gjendje kome. Në vendin e ngjarjes policia ka sekuestruar dy gëzhoja pistolete të kalibrit 9 mm, dhe që mendohet se i përkasin një arme tip “Zastava”, që është përdorur nga autori. Në lidhje me hetimet, veç disa dëshmitarëve që ndodheshin në lokal në momentin e ngjarjes, policia ka shoqëruar edhe disa persona që u janë gjetur elementë plotësues, por që më pas janë lënë të lirë. Pyetja e personave që kanë dijeni për ngjarjen ka vijuar edhe mbrëmë gjatë gjithë natës.