Plagosja e rrepistëve, grupet rivale kanosen mes tyre në Facebook
TIRANE – Pak ditë pasi në qendër të Tiranës u plagosën me thikë dy adoleshentët Denis Dollapi dhe Durim Vitrina, miqtë e tyre kanë hapur një faqe në Facebook, ku fyejnë dhe kërcënojnë me hakmarrje autorët e ngjarjes. Dy adoleshentët, që pretendohet se janë fansa të grupit të rrepit TBA, u plagosën me thika më 28 prill, pas një sherri me anëtarë të grupit rival të rrepit OTR, në një lokal pranë gjimnazit “Sami Frashëri” në kryeqytet. Vetëm pak ditë pas kësaj ngjarje, mes grupeve rivale kanë nisur kërcënimet e para me jetë në shenjë hakmarrje, por dhe kërcënime me tekste këngësh siç është kthyer në modë tashmë mes dy grupeve që i kanë shpallur “luftë” njëri-tjetrit. Në faqen e profilit të titulluar “Sepse Denis Dollapi do bëhet mirë shumë shpejt”, nuk mungojnë fyerjet e të dyja palëve të fansave, por ajo çka duket më serioze janë kërcënimet. “O OTR sa shumë keni gabuar, që në atë minutë vutë dorë në Denisin keni vënë.... Po nuk e dini se ne nuk ta falim, se deri në fund ne kemi për ta marrë hakun, se hakmarrjen ne e kemi në gjak... O OTR rrugët me trupin tuaj kemi për t’i pastruar...”, janë disa nga kërcënimet e publikuara në profilin e Facebook-ut. Fjalët kërcënuese janë shoqëruar ndërkohë me foto me dedikime si dhe imazhe personash të armatosur që duket se janë fansa të të dy grupeve rivale. Në këtë profil është publikuar edhe fotografia e personit që dyshohet se ka plagosur dy adoleshentët Denis Dollapi dhe Durim Vitrina. Sipas komenteve që janë bërë në Facebook, fotografia e personit përshkruhet “çeti OTR.....që do të zhduket...” ndërsa vijojnë paralajmërime të tjera. Personi i fajësuar në Facebook, duket se është i njëjti tashmë i identifikuar edhe nga grupi hetimor i policisë që po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e personit tashmë të shpallur në kërkim. Sipas burimeve nga policia personi që dyshohet se ka plagosur dy adoleshentët, është një anëtar i grupit të repit OTR, me pseudonimin “Infiniti” dhe është i njëjti person, fotoja e të cilit është publikuar së fundmi në profilin e Facebook-ut. Burime nga policia thanë se ngjarja e disa ditëve më parë, kur u plagosën adoleshentët Dollapi e Vitrina, ka ndodhur pas fyerjeve që kanë shkëmbyer të dëmtuarit me autorin e ngjarjes dhe disa personave të tjerë, duke u nisur nga këngët që kanë publikuar së fundmi grupet respektive me fjalë fyese ndaj njëri-tjetrit. Ngjarja filloi në një lokal pranë gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë, ku mbeti i plagosur me thikë Durim Vitrina, e më pas autorët ndoqën nga lokali e deri në afërsi të Stacionit të Trenit, Denis Dollapin, duke e goditur disa herë me thikë. e.d