Ronela Hajati ia beson klipin e saj Ardit Roshit
Këngëtarja Ronela Hajati ia ka besuar Ardit Roshit regjinë e klipit të saj të ri. Ata janë duke punuar për realizimin e klipit, fabula e të cilit do të bazohet në vargjet e shkruar nga vetë këngëtarja. Kënga me muzikë të Flori Mumajesit ka përfunduar regjistrimin, ndërkohë që Ronela ka filluar përgatitjet për realizimin e klipit të saj të veçantë. është një krijim që flet mbi ndarjen midis dy të dashuruarve, ndërsa vajza pas shumë kohësh vendos të flasë e t’i thotë gjërat hapur, dhe po ashtu vendos të harrojë gjithçka që ka kaluar në këtë histori dashurie. Këngëtarja pohon se nuk është frymëzuar nga ndonjë histori personale të saj për vargjet. Puna për realizimin e këtij klipi ka qenë dhe arsyeja pse këngëtarja nuk ka marrë pjesë në “Top fest 7”, një garë ku garojnë shumë këngëtarë të rinj. Ronela Hajati konkurroi në festivalin “Kënga Magjike” me një tjetër këngë dashurie me titull “Kam frikë të të dua”. Ajo u zbulua si këngëtare në spektaklin “Akademia e Yjeve” në TV Klan, dhe këndon në rrymën R and B. Artistja 20-vjeçare në festivalin “Kënga Magjike” ndryshoi stil, duke marrë pjesë me një këngë “house”, kompozuar nga Ervin Gonxhi. Teksti fliste për një histori dashurie, ku një vajzë dashuron një djalë që manifeston karakter të paqëndrueshëm. Në ndryshim nga ajo këngë, ku vajza shpresonte që një ditë djali të ishte ai që ajo dëshironte, në këngën e re ajo flet për një histori, të cilës i jepet fund. Le të shohim se si do të jetë klipi që do të realizojë me Ardit Roshin, me të cilin ka krijuar miqësi në TV Klan.