Patos, grabiten 5 mijë euro në një kasafortë
PATOS – Një shumë e konsiderueshme financiare prej 5 mijë eurosh është grabitur nga disa persona në një banesë në Patos. Burime nga policia kanë thënë se autorë të ngjarjes dyshohet të jenë të paktën tre persona të cilët kanë hyrë në banesën që ndodhet në Patos-Fshat. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 11:00, kur sipas policisë, tre persona që dyshohet se kanë qenë të armatosur dhe të maskuar kanë hyrë në banesë dhe kanë grabitur pesë mijë euro që ndodheshin në kasafortë. Policia ka bërë të ditur se banesa ku ndodhi vjedhja i përket shtetasit Kujtim Lamaj. Autorët e ngjarjes kanë hyrë në banesë në kohën kur asnjë anëtar i familjes nuk ndodhej në shtëpi. Pasi kanë kontrolluar gjithë banesën, grabitësit shkuan në dhomën e gjumit ku pasi kanë gjetur kasafortën kanë shqyer bravën e saj e më pas kanë marrë shumën prej 5 mijë euro. Disa orë më vonë, pasi banorët e shtëpisë u kthyen aty, konstatuan hyrjen e disa personave në banesë si dhe vjedhjen e parave që ndodheshin në kasafortë. I zoti i shtëpisë ka njoftuar policinë e cila menjëherë shkoi në vendin e ngjarjes duke nisur hetimet për vjedhjen. Disa persona, banorë të zonës, janë shoqëruar në polici për tu hetuar mbi ngjarjen pasi dyshohet se autorët kanë pasur dijeni për praninë e parave në banesë.