E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarm në fyrom

Ylber Lili

Gjendja në shtetin fqinj është alarmante. Antagonizmat e thella mes Shkupit dhe Greqisë për emrin, acarimi i marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetare, kriza e rëndë ekonomike dhe sociale e ka vendosur FYROM-in në pikëpyetje të madhe për ardhmërinë e saj. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me perceptime, apo analiza hipotetike, por realisht gjendja atje është tepër e tensionuar. Vetëm dy ditë më pas, në rajonin e Bllacës, zonë kufitare me Kosovën, mediat, por edhe zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme alarmuan situatën, e cila sipas tyre kishte dimension konfliktual. Gjithnjë sipas mediave maqedonase, tri ditë më parë ka pasur konfrontim me armë mes një grupi të armatosur dhe policisë maqedonase. Për ta bërë më të besueshëm këtë lajm, kreu i Ministrisë së Brendshme, Jankullovka, rrëfeu para mediave me gjeste e fjalë sesi policia e saj kishte arritur të konfiskojë armë, që sipas ministrisë ishin mjete që i përdorin terroristët. “Bëhet fjalë për grup ekstremist, qëllimi i së cilit nuk ishte veçmas Maqedonia, por që të veprojnë në rajonin më të gjerë”, deklaroi me pompozitet kreu i MPB-së.
Duke anashkaluar gjysmë të “vërtetat” dhe në pritje të vërtetave për incidentet, çështja që shtrohet për diskutim ka të bëjë me shkaqet e krizave që e kanë shndërruar Maqedoninë potencial konflikti.
çështë e vërteta, shqiptarët e Maqedonisë kurrë më parë nuk kanë qenë kaq të diskriminuar, poshtëruar dhe fyer sesa tani. Për këtë gjendje, faji më i madh bie mbi Ahmetin, tolerimet e pafundme të tij, duke i lejuar Gruevskit të sjellë një sërë ligjesh antidemokratike dhe antishqiptare, financimin e projekteve siç është enciklopedia, apo Projektin “Shkupi 20014”, përfshirë këtu edhe diskriminimin në kulturë, arsim, shëndetësi, punësim, buxhet, plus arrestimin dhe burgosjen pa karar të ish-ushtarëve të UCK-së përbëjnë mozaikun e pakënaqësisë së shqiptarëve, të cilët gjenden në kuota më të ulëta sesa çka u ofronte Kushtetuta e vitit 1991.
Pra, duke shikuar me vëmendje zhvillimet politike, institucionale, marrëdhëniet ndëretnike, por edhe relacionet fqinjësore, kupola politike maqedonase vazhdon të tregohet kryeneçe ndaj rekomandimeve të faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjes së emrit, sikundër ajo ka treguar se nuk është fare e gatshme t’i pranojë shqiptarët si popull shtetformues. Duke mbajtur këto pozicione, krerët shtetërorë maqedonas de fakto kanë pranuar të ushqejnë krizat pa u brengosur për pasojat. Sigurisht që maqedonasit kanë përfituar nga politika me dy standarde e faktorit ndërkombëtar dhe vasaliteti i Ahmetit. Në këtë kontekst, ata kanë vepruar me dore të hekurt kundër shqiptarëve dhe nga ana tjetër kanë taktizuar, duke e zvarritur çështjen e emrit. Mirëpo ditët e fundit reagimi i ndërkombëtarëve e ka vendosur Kryeministrin dhe Presidentin maqedonas në dilema të mëdha. Të ndodhur në këtë situatë, ka gjasa që politika zyrtare maqedonase ka preferuar të hedhë në terren skenarin e ikjes nga problemi.
Në këtë kuptim kam përshtypjen se shumëçka që luhet në terren është strategji e maqedonasve për t’i paraqitur shqiptarët agresorë jo vetëm për Maqedoninë, por për gjithë rajonin. Në këtë pikë shqiptarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe të matur, ata duhet të tregojë pjekuri maksimale ngaqë m-aqedonasit po kërkojnë shpëtim, ngase ia kanë ngatërruar këmbët shtetit të tyre me penjtë e nacionalizmit klarikal. Më pak fjalë, elita maqedonase e ka trashur zhvillimin, duke i shtuar vetes një telash më shumë. S’do mend që për të dalë nga kjo zonë qorre ata kërkojnë fajtor fantazmë.
Gjithsesi kjo taktikë është e dalë boje, sepse është praktikuar qysh me Kushtetutën e vitit 1991, në të cilën u farkëtua ndërtimi i shtetit një-etnik maqedonas, duke suspenduar kapacitetet politike, historike, intelektuale, ekonomike dhe etnike të shqiptarëve. Ky model anakronik prodhoi në vazhdimësi kriza, të cilat tashmë nuk mund të parandalohen lehtë.
Me pak fjalë, në rrethanat aktuale koncepti i shtetit etnocetrik, mungesa e identitetit kombëtar dhe antagonizmat e thella përtej kufijve të mosdurimit mes maqedonasve dhe shqiptarëve etnikë, janë elementët kryesorë që po ia marrin gradualisht shpirtin një shteti që penetron në hapësirën e inegzistencës. Tashmë nuk ekziston asnjë mbulesë për të justifikuar veprimet antidemokratike dhe shantazhet e elitës politike-institucionale maqedonase kundrejt shqiptarëve etnike, fqinjëve dhe faktorit ndërkombëtar. Këta të fundit, ndonëse politikisht luajnë me dy standarde, gjithsesi kanë pranuar pa dorashka diplomatike jo thjeshtë brishtësinë e këtij shteti, por edhe tkurrjen e garancive për të ardhmen e vendit zullummadh.
Javët e fundit janë shtuar deklaratat pesimiste të korit diplomatik në Shkup, të cilët kanë ndezur sirenat e alarmit. Sipas tyre, qershori është vija që ndan izolimin nga perspektiva. Jo vetëm kaq. Duke iu referuar “luftës së ftohtë” mes Shkupit dhe Athinës (ngërçit për emrin), ndërkombëtarët insistojnë për zgjidhje të shpejtë, që në fakt do të ishte një problem më pak për Maqedoninë. Mirëpo, gjasat për të mbërritur deri tek stacioni i zgjidhjes së problemet janë pothuajse të papërfillshme. Kryeministri maqedonas nuk ka ndërmend të marrë parasysh rekomandimet e ndërkombëtarëve.
“Doemos duhet të gjeni zgjidhje për problemin me emrin, ndryshe ardhmëria juaj është vënën në pikëpyetje të madhe”, ka deklaruar tri ditë më parë Ambasadori amerikan në Maqedoni, Filip Riker, duke komentuar gjendjen aktuale në negociatat për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë. Por Ambasadorët e BE-së dhe ai i SHBA-ve këtë radhë nuk janë mjaftuar vetëm më ngërçin e emrit me Greqinë. Ata së fundmi kanë vendosur dorën mbi plagë: përkeqësimi i marrëdhënieve etnike dhe proceset evro-integruese të bllokuara ishte thelbi i letrës së bashkësisë ndërkombëtare drejtuar institucioneve të shtetit dhe politikës në Maqedoni. Në fakt, problemi kryesor i krizës në Maqedoni është rrënimi i skajshëm i ekuilibrave të kohezionit të brendshëm. E pra, vendi që lehtësisht u pavarësua në vitin 1990, shteti i cili në kulmin e krizës së 2001-it fitoi “lotarinë” e marrëveshjes së asocim-stabilizimit, sot e kësaj dite dergjet në shtratin e krizave shumë dimensionale. Fatkeqësisht as liberalizimi i vizave, apo ndezja e prozhektorëve si shtet kandidat për në BE nuk shërbejnë si terapi shërimi. Të paktën në Ballkan dhe Evropë, shtet me një performancë të tillë përveç FYROM (ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë) nuk ekziston. Në këtë kontekst, Maqedonia do të mbahet mend gjatë jo thjeshtë për tiparet e sipër cituara, as për përkëdheljen ndërkombëtare, por për dështimin e eksperimentimit të një shteti multietnik.
Me gjithë potencialin konstruktiv që vazhdojnë të luajnë shqiptarët në përgjithësi, për të mbajtur në këmbë një shtet të sajuar, me gjithë investimin e paparë ndërkombëtar për të ruajtur balancat e një vendi delikat, me gjithë luajalitetin deri në vasalitet të partisë shqiptare në pushtet, shteti maqedonas de fakto ka dështuar.
Në këtë kuptim, ndonëse mund të tingëllojë paradoksale, por edhe në rast se Maqedonia, bie fjala nesër do të gdhihej anëtare e NATO-s, apo e BE-së sërish do të ngrysej shtet i dështuar. E thënë me fjalë të tjera, pa ndërtimin e marrëdhënieve funksionale ndëretnike (shqiptarët popull shtetformues), gjithçka tjetër vetëm sa i mban frymën një shteti jetëshkurtër, asgjë më shumë sesa kaq.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›