E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënohet 21 vjeçari, rrahu rojen e maternitetit se nuk e futi brenda

materniteti—-Nga Arisa Liço—-

Tiranë- Një 21-vjeçar është dënuar nga gjykata pasi është konfliktuar me rojen e maternitetit se ky i fundit nuk e lejonte të hynte për të parë të motrën, ndaj e ka goditur atë me grushta dhe mjete të forta.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e datës 11.10.2012, kur në pavionin e lindjeve tek materniteti Mbretëresha Geraldinë, rreth orës 20.30 kanë shkuar 4 persona mes të cilëve edhe 21-vjeçari K.Duka, duke kërkuar që të ngjiteshin në katin e dytë për të parë motrën që kishte lindur. Roja H.Murati nuk i ka lejuar, duke i sqaruar se kishte kaluar orari i vizitave që ishte deri në orën 20.00.

Për këtë shkak ata kanë filluar të debatonin dhe në një moment i pandehuri e ka goditur me grushta dhe mjete të forta rojen, duke i shkaktuar dëmtime fizike, por njëkohësisht edhe roja ka reaguar duke e goditur atë me një mjet të fortë në sy. Roja mohon faktin që të ketë goditur djalin, fakt të cilin e provojnë edhe punonjesja M.Bejo dhe infermierja e pranimit.

Në dëshminë e saj, punonjësja ka thënë se është afruar duke i kërkuar djalit që të largohej, por ai ka reaguar duke e gjuajtur atë me grusht në fytyrë.

Ndërsa vetë K.Duka ka sqaruar se ditën e ngjarjes kishte shkuar në maternitet për të takuar motrën e tij e cila kishte lindur një ditë më parë, por roja nuk e kishte lejuar të futej brenda  me pretendimin se ishte jashtë orarit të vizitave, ndërkohë që personat e tjerë që ndodheshin para apo pas tij, roja i lejonte të futeshin brenda pasi i jepnin bakshish, ndaj në këto kushte i kishte kërkuar atij shpjegime se përse nuk e lejonte të futej brenda, apo sepse duhej ti jepte bakshish. Pas kësaj ata kanë debatuar me njëri tjetrin dhe në momentin që roja e kishte ofenduar nga familja, e kishte shtyrë duke e rrëzuar përtokë. Pas kësaj roja ishte ngritur duke e goditur të pandehurin  në sy me një send të fortë. Nga hetimet e kryera u konkludua se veprimet e rojes, nuk mund të kualifikoheshin si vepër penale por si rezultat i një mbrojtjeje të nevojshme.

Trupa gjykuese pak ditë më parë, shpalli fajtor 21-vjeçarin për veprën penale Goditje për shkak të detyrës duke e dënuar  me 80.000 (tetedhjete) mije leke gjobë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›