E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ky është realiteti

Perdja e basketbollit kosovar u zbulua të martën mbrëma, kur përfaqësuesja e Kosovës u deklasua nga ekipi i studentëve amerikanë, ‘Athlets in Action’. Njohësit e basketbollit kosovar e pranojnë se ky është realiteti i nivelit të këtij sporti në vend. Për të dalë nga kjo pozitë, ata kërkojnë më shumë punë, grumbullime dhe ndeshje. Edhe punën me gjenerata të reja e vlerësojnë të rëndësishme. Nga Moral Pozhegu më 02 qershor 2011 në ora 13:42

Humbja e thellë nga ‘Athlets in Action’, ekip ky që përbëhej nga basketbollistët e rinj amerikanë të kolegjeve, zbuloi shumëçka rreth gjendjes së basketbollit kosovar. Përfaqësuesja e Kosovës pësoi humbje të thellë (66:115) dhe turpëruese nga kundërshtari, i cili përbëhej nga lojtarë nën moshën 20-vjeçare.

Është e vërtetë nëse themi se Amerika është djepi i basketbollit, por të pësosh në mënyrë të tillë nga lojtarë aq të rinj dhe të papërvojë, kjo është shqetësuese.

Njohësit e basketbollit kosovar e pranojnë se ky është realiteti i basketbollit të këtushëm. Ata kërkojnë që të punohet më shumë me të rinj në vend, për ta ndërtuar në të ardhmen një skuadër më të fortë përfaqësuese.

“Ky është realiteti se ku jemi, se çka po bëjmë. Nuk kemi mundur të presim më shumë nga përfaqësuesja, ngase nuk mund të bësh më shumë pa bërë stërvitje dhe pa parapërgatitje”, thotë për Express trajneri Jeton Nixha.

Megjithatë, ish-trajneri i Bashkimit mendon se kjo ishte një eksperiencë shumë e mirë për përfaqësuesen, së cilës i nevojiten ndeshje të tilla. Sipas tij, rezultati nuk ishte shumë i rëndësishëm, por me një përgatitje më të mirë, dhe po të vinin të gjithë basketbollistët, vijon ai, me siguri se Kosova do të pësonte humbje më të butë.

Për Nixhën, “Athlets in Action’ është ekipi më i mirë që ka luajtur në Kosovë pas luftës. Ai insiston se përfaqësueses i nevojiten grumbullime dhe ndeshje më të shpeshta, për të dhënë më shumë në të ardhmen.

Trajneri Naser Oskaçek thekson se në këtë duel rezultati nuk kishte shumë rëndësi. Por, ai është i vetëdijshëm se kualiteti në basketbollin kosovar nuk është në nivelin e duhur. Prizrenasi kërkon ndryshime, që nga Federata, e më poshtë.

“Mendoj se lojtarët kosovarë e kanë kursyer veten për ndeshjet finale të play-offit. Natyrisht, duhet pranuar se kualiteti i kundërshtarit ishte i një niveli më lart. Duhen grumbullime më të shpeshta, ndeshje më të shpeshta me shtetet në rajon si Mali i Zi, Shqipëria apo Maqedonia. Pastaj, duhet të punojmë me të rinj më shumë, sepse në këtë mënyrë nuk mund të ecim përpara. Duhen mbajtur kampe, liga etj”, tha ai.

Mazreku: Kundërshtari ishte shumë i fortë

Blerim Mazreku ishte njëri prej lojtarëve të paktë që ia ‘ruajti fytyrën’ përfaqësueses së Kosovës. Qendra e Sigal Prishtinës shënoi 24 pikë. Humbjen nga ‘njomakët’ amerikanë e arsyeton me mungesë koncentrimi nga ana e ekipit kosovar dhe me kualitetin dukshëm më të mirë të kundërshtarëve.

“Mund të them se kemi hyrë pa koncentrim, s’kemi luajtur shpesh bashkë dhe në disa raste u vërejt ngecja te përgatitja fizike. Në anën tjetër, kundërshtarët ishin dy herë më të përgatitur fizikisht sesa ne. Po të ishin krejt lojtarët e ekipit tonë të moshës sime dhe Azemit, ndoshta do të kryhej ndryshe ndeshja. Ngase, lojtarët tanë të rinj nuk janë të nivelit të bashkëmoshatarëve të tyre amerikanë”, thotë Mazreku.

Për të dalë nga kjo situatë, ai kërkon nga trajnerët kosovarë që të punojnë me gjenerata të rija, ngase, sipas tij, në këtë aspekt nuk po bëhet sa duhet. Kosova sot e ka një Blerim Mazreku apo Edmond Azemi. Por, nëse nuk punohet me të rinj, nuk mund të pritet më shumë nga përfaqësuesja e Kosovës në të ardhmen.

Kualiteti dhe niveli i basketbollit kosovar u vërejt më së miri të martën mbrëma, kur përfaqësuesja u ‘shkel’ nga basketbollistët e rinj amerikanë. Shtrohet pyetja: çka nëse ekipi Athlets in Action’ do të përbëhej nga basketbollistë seniorë?

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›