Dënohet kreu i rrjetit të prostitucionit në Itali
Një 38-vjeçar, i konsideruar nga drejtësia italiane si një nga krerët e organizatave kriminale në Itali në fushën e prostitucionit, është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 7 vjet burg. Artur Doko akuzohej se kishte trafikuar e shfrytëzuar vajza shqiptare e moldave si prostituta në Itali, ku dhe është proceduar nga organet hetimore vendase. Ai dyshohet se ka krijuar një organizatë kriminale pas viteve 1990, aktivitet të cilin e ka vazhduar deri në vitin 2005, kur dhe është pikasur nga policia italiane. Kjo e fundit ka arritur të mbledhë një sërë denoncimesh për Dokon, të cilat i referoi në prokurori, duke krijuar një dosje. Hetimet e mëvonshme të policisë vendase arritën të zbulonin të gjithë linjën e këtij trafiku, duke vënë nën akuzë 38-vjeçarin për tri vepra penale: “krijim të organizatës kriminale”, “trafik femrash” dhe “kalim të paligjshëm të kufirit”. çështja u dërgua në gjykatë në mungesë dhe Artur Doko, me origjinë nga rrethi i Korçës, u dënua me shtatë vjet burg në mungesë. Ai u shpall në kërkim ndërkombëtar, ndërsa kishte dyshime se mund të fshihej në vendlindje, Shqipëri. Arrestimi është realizuar disa muaj më parë në Tiranë. Policia e Shtetit tha se arrestoi shtetasin e kërkuar Artur Doko, 38 vjeç, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale trafik prostitucioni nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Policia ka njoftuar se i arrestuari është dënuar me shtatë vjet burg nga Gjykata italiane e Milanos për akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit. Vendimi penal i dhënë nga Gjykata Italiane është sjellë në Shqipëri dhe pasi është përkthyer nga Prokuroria e Përgjithshme është dërguar në gjykatën shqiptare për njohjen e tij. Doko është akuzuar në Itali si anëtar i një grupi prej gjashtë personash të dyshuar për shfrytëzimin e disa vajzave për prostitucion.
çështja u transferua në Prokurorinë e Tiranës, e cila filloi procedurat për njohjen e vendimit të huaj penal. Dy ditë më parë, Gjykata e Tiranës njohu vendimin italian për Dokon, duke konvertuar akuzat italiane me ato shqiptare për veprën penale të “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese, të kryer në bashkëpunim në dëm të disa personave”. Sipas akuzës, Doko u dënua në Itali se përgjatë periudhës së viteve 1990 deri në vitin 2005, ka shfrytëzuar për qëllime prostitucioni në Milano të Italisë, rreth 10 vajza të shtetësive e kombësive të ndryshme, kryesisht kosovare, rumune, moldave dhe shqiptare. Ky shtetas u siguronte të dëmtuarave apartamente dhe dokumente të falsifikuara qëndrimi në Milano të Italisë, ku nëpërmjet tyre realizonte dhe shfrytëzimin për qëllime përfitimi. Doko, sipas policisë, u arrestua disa muaj më parë në ambientet e një banese në Vorë dhe më pas është bërë ekzekutimi i vendimeve të gjykatës të dhëna në ngarkim të tij.