E Diel, 1 Nëntor 2026

Franc Konomi, 1 milion euro borxh trafikantëve

Grupi hetimor ka zbuluar nga tabulatet telefonike se viktima merrte telefonata dhe SMS kërcënuese për borxhin

Një pistë e re hetimore është zbuluar nga policia për vrasjen e Franc Konomit, mesditën e 8 gushtit në qendër të Tiranës. Oficerët e policisë gjyqësore, gjatë këqyrjes së tabulateve telefonike të Konomit, kanë zbuluar se viktima ka marrë disa telefonata dhe SMS kërcënuese nga persona të ndryshëm në lidhje me një borxh. Hetuesit e çështjes kanë deklaruar për gazetën “Shqip” se Konomi u kishte disa elementëve të dyshuar kriminalë një borxh prej 1 milion eurosh. Paratë mendohet se kishin të bënin me një pazar droge midis viktimës dhe grupit në fjalë. Verifikimi i tabulateve telefonike ka zbuluar edhe pistën e re për zbardhjen e çështjes. Tashmë borxhi 1 milion euro dhe konfliktet në shtetin e Spanjës janë dy pistat kryesore të policisë për vrasjen e bujshme në mes të Tiranës.

Borxhi

Një njësi speciale për Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit po heton vrasjen e Franc Konomit, ku janë ngritur një sërë pistash nga ekzekutimi për hakmarrje e deri te një urdhër vrasjeje i ardhur nga shteti i Spanjës. Së fundmi në “dritë” ka dalë një konflikt i vjetër i Konomit me një shtetas, i dyshuar se kryen trafik të lëndëve narkotike. Dy vjet më parë, Franc Konomi ka kontaktuar me shtetasin në fjalë, duke lidhur një marrëveshje bashkëpunimi. Konomi do të realizonte trafikun dhe shpërndarjen e lëndës narkotike, ndërsa “lëndën e parë” do e merrte pikërisht te ky shtetas. Dorëzimi është kryer rreth mesit të vitit 2008 në Tiranë dhe lënda narkotike kishte një vlerë rreth 1 milion euro. Franc Konomi, sipas të dhënave të përfituara nga policia, i bëri me dije “tregtarit” të heroinës se paratë do t’i jepeshin në fund të trafikut dhe shpërndarjes së lëndës. Sipas informacioneve policore, droga u trafikua fillimisht në Itali dhe më pas në disa vende perëndimore. Por jo çdo gjë shkoi sipas planit të Konomit. Rreth muajve të verës të vitit 2008, policia italiane bllokoi një pjesë të mirë të lëndës narkotike, duke sekuestruar dhe vënë në pranga shpërndarësit, të cilët “kyçën” gojën para policisë. Ata nuk treguan “pronarin” e lëndës narkotike. Veprimi i policisë italiane shtangu Konomin, i cili drogën e kishte marrë me lekë borxh. Menjëherë sapo është kthyer në Tiranë, Konomi mendohet se ka marrë kontakte me “pronarin” e lëndës narkotike. Takimi i parë ka shkuar mirë, teksa të dy kanë rënë dakord se paratë do të ktheheshin. Fill pas kësaj, 42-vjeçari është larguar nga Shqipëria. Midis të dyve lindi një konflikt verbal, pasi asnjëherë nuk mundën të takoheshin, sepse Konomi lëvizte në shumë prej vendeve perëndimore dhe ardhjet e tij në Tiranë nuk i bënte publike. Sipas burimeve policore, Franc Konomi ka marrë disa herë telefonata dhe SMS kërcënuese nga ky person, por asnjëherë nuk i ka marrë seriozisht, teksa vazhdonte të lëvizte midis Shqipërisë, Gjermanisë, Greqisë dhe Spanjës.

Konfliktet

Ndërkohë, policia dhe prokuroria po kërkojnë më shumë informacion për një sërë shqiptarësh që kanë aktivitet kriminal në Spanjë, mes të cilëve edhe persona që dyshohen se mund të jenë ekzekutorët e Franc Konomit. Nëpërmjet policisë, grupi hetimor i kryesuar nga prokurori Blerim Tominaj, i ka kërkuar Zyrës së Interpolit emra personash shqiptarë që mund të kenë pasur konflikte me Konomin në shtetin e Spanjës, për trafikun e drogës. Hetimet, sipas akuzës qendrore, po përqendrohen te ky grup, ndërsa në ditët në vijim, drejt Spanjës do të niset edhe një letër-porosi për të kërkuar më shumë informacion. Sipas policisë, Konomi ka pasur precedentë të shumtë penalë, duke hedhur hije dyshimi se ai mund të jetë ekzekutuar nga rivalët në këto trafiqe. Megjithatë, hetimet e deritanishme të policisë po përqendrohen në dy pista. Disa javë më parë, Interpoli ka sjellë në Shqipëri dosjen e një sërë shqiptarësh që kanë aktivitet kriminal në Spanjë, mes të cilëve edhe persona që dyshohen për vrasjen e Franc Konomit. Ata dyshohet se merreshin me trafikun e drogës dhe jo më larg se një vit më parë kanë kryer një vrasje në një lokal lojërash fati në Spanjë. Për këtë ngjarje, Policia e Spanjës ka pasur të dyshuar disa shqiptarë, ku edhe viktima ka qenë bashkëkombës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›