E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstremistët grekë detyrojnë shqiptarët të largohen nga Dhiavato

Sherri i adoleshentëve vendas me shqiptarët ka pasuar me dhunë raciste

Kur kanë kaluar vetëm 48 orë nga sherri i adoleshentëve, ku mbetën të plagosur 5 grekë, disa emigrantë shqiptarë, duke pasur frikë nga hakmarrja, po largohen nga fshati Dhiavato. Sipas raportit të mediave greke, të cilat u referohen dëshmive të emigrantëve që jetojnë në Dhiavato, në zonën e Verjas, shumë shqiptarë kanë braktisur fshatin dje në mëngjes, të tjerë janë mbyllur nëpër shtëpitë e tyre, ndërsa ata që dalin i bëjnë “sytë katër”, duke u ruajtur se mos ndokush i qëllon pas shpine. Sipas sitit “newsit.gr”, disa emigrantë kanë shkuar në punë normalisht, por nga pas i ndiqte ankthi. Një emigrant shqiptar ka shprehur keqardhjen për bashkëkombësin e tij, i cili dyshohet të jetë edhe autori i kësaj ngjarje të tmerrshme, e para në 20 vjet emigracion të të huajve në atë zonë. Sherri filloi ditën e mërkurë në mbrëmje, kur dyshohet se disa adoleshentë shqiptarë kishin “ngacmuar” një vajzë. Bashkëmoshatarët e tyre grekë u kishin thënë që ta linin të qetë vajzën, por kjo ka sjellë debat mes tyre, që përfundoi në konflikt fizik. Sipas dëshmive të marra nga policia, njëri nga shqiptarët ka shkuar të njoftojë bashkëkombës të tjerë, që mendohet se i kanë ardhur atij në ndihmë duke goditur me thika dhe mjete të forta adoleshentët grekë. Nga kjo përplasje u plagosën 5 persona, një prej të cilëve ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Verjas. Pas ngjarjes, katër makina me të rinj grekë shkuan të enjten në fshat dhe rrahën një të ri nga Devolli. Ata mbanin në dorë parulla, ku shkruhej se “shqiptarët do e paguajnë me gjak këtë që bënë ndaj grekëve”. Në fshatin Dhiavato janë rreth 500 emigrantë shqiptarë, një pjesë e të cilëve po detyrohen të largohen në drejtime të ndryshme, të kyçen brenda dhe të lëvizin të frikësuar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›