Tentoi vrasjen e të riun, arrestohet 41-vjeçari
Një 41-vjeçar, banues në Kodër Kamzë, fare pranë Tiranës, u arrestua dje në flagrancë. Sokol Tollia u vu në pranga sepse mesditën e së premtes u kap në flagrancë teksa për motive të dobëta tentoi të vriste me armë zjarri (të cilën e posedonte pa leje) 21-vjeçarin Derand Xhanari. Sipas policisë, fati ka qenë me të riun ndërsa nuk është dëmtuar, edhe pse u qëllua në drejtim të mjetit të tij. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një pushkë automatike model 63, 18 copë fishekë, si edhe automjeti tip “Benz”, me targa TR1019S, i dëmtuar nga të shtënat. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të “Vrasjes me dashje”, parashikuar nga neni 76, 22 e 278/2 i Kodit Penal.
#